Lidhje

Ceremoni përkujtimore për viktimat e masakrës në Norvegji


Ceremoni përkujtimore për viktimat e masakrës në Norvegji
Ceremoni përkujtimore për viktimat e masakrës në Norvegji

Policia dhe avokati i norvegjezit i cili pranoi se ka kryer sulmet e së premtes në Oslo, tha sot se ka vepruar i vetëm, pavarësisht nga deklaratat e disa dëshmitarëve të cilët folën për praninë e një person të dytë të armatosur.

Autoritetet thanë se Anders Behring Breivik ka pranuar kryerjen e dy sulmeve, por mohoi përgjegjësinë penale, duke thënë se veprimet e tij, që shkaktuan vrasjen e 92 njerëzve, ishin “barbare”, por të domosdoshme.

Ndërkohë, Norvegjia po mban zi për viktimat e masakrës në një ceremoni përkujtimore që u zhvillohet në katedrale e Oslos.

Njerëzit u mblodhën përpara Katedrales së Oslos sot para shërbesës për të nderuar 92 viktimat e sulmeve në ishullin me aktivistët e rinj dhe nga shpërthimi në një ndërtesë qeveritare të kryeqytetit. Kryeministri norvegjez Jens Stoltenberg mbajti një fjalim emocional në një ceremoni përkujtimore për viktimat e masakrës.

“Humbja e secilit person është një tragjedi në vetvete. Së bashku, kjo është një tragjedi kombëtare”, tha kryeministri.

Anëtarët e familjes mbretërore norvegjeze, mbreti Harald V dhe mbretëresha Sonja, morën gjithashtu pjesë në ceremoninë përkujtimore. Në disa momente, çifti mbretëror u përfshi nga emocionet, duke u përpjekur të mbanin lotët.

Vetëm disa qindra metra larg katedrales është vendi ku ndodhi shpërthimi i një bombe që shkatërroi ndërtesat e qeverisë, përfshirë zyrat e Kryeministrit Jens Stoltenberg, dhe shkaktoi vdekjen e shtatë personave.

Policia ka arrestuar 32-vjeçarin Anders Behring Breivik lidhur me sulmin me bombë dhe të shtënat në ishullin Utoeya ku u vranë të paktën 85 persona.

Shefi i policisë në detyrë i Oslos Sveinung Sponheim tha në një konferencë shtypi sot se nuk ka të dyshuar të tjerë për sulmet, por autoritetet do të hetojnë çdo gjë që Breivik ka thënë.

Breivik është ngarkuar me akuzën për terrorizëm dhe të hënën do të paraqitet në gjykatë.

Të mbijetuarit, të afërmit e viktimave dhe shumë përkrahës morën pjesë gjithashtu në një ceremoni që u zhvillua sot në Sundvollen, pranë ishullit ku ndodhi masakra.

XS
SM
MD
LG