Lidhje

Ceremoni zyrtare e funeralit për Ramiz Alinë


Ceremoni zyrtare e funeralit për Ramiz Alinë
Ceremoni zyrtare e funeralit për Ramiz Alinë

Ndonëse ceremonia u organizua nga protokolli i shtetit, asnjë prej përfaqësuesve shteterorë nuk ishte i pranishëm.

Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia zyrtare e funeralit për ish presidentin e fundit komunist shqiptar Ramiz Alia i cili vdiq dy ditë më parë në moshën 86 vjecare si pasojë e një sëmundjeje.

Arkivoli i zotit Alia u vendos për 60 minuta në qendrën kulturore të ushtrisë. Ndonëse ceremonia u organizua nga protokolli i shtetit, asnjë prej përfaqësuesve shteterorë nuk ishte i pranishëm, ndërsa morën pjesë figura të njohura të së majtës. Pranë trupit të pajetë bën homazhe kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci dhe deputeti Namik Dokle, ish kryetari i parlamentit Servet Pëllumbi, kryetari i Lëvizjes socialiste për integrim Ilir Meta si dhe ish kryetari socialist dhe ish kryeministri Fatos Nano i cili pasoi zotin Alia në drejtimin e ish partisë së Punës, pas shndërrimit të saj në Partinë socialiste, në fillim të viteve ’90. Në homazhe mori pjesë edhe një nga djemtë e diktatorit Hoxha.

Arkivoli u percoll më pas në një nga varrezat e kryeqytetit i mbulur me flamurin kombëtar. Ramiz Alia ka qenë një ndër eksponentët kryesore të regjimit komunist shqiptar, dhe bashkëpunëtor i afërt i diktatorit Enver Hoxha në fillim të viteve 80. Ai u bë pasuesi i tij i natyrshëm, kur Hoxha vdiq më 1985. Nën trysnin e revoltës së studentëve në fund të vitit 1990 Ramiz Alia u detyrua të njihte pluralizmin politik. Partia komuniste e drejtuar prej tij fitoi megjithatë sërish në mars të 1991 dhe ai u zgjodh presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste. Por një vit më vonë do të dorëhiqej pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e marsit 1992. Vlerësimet ndaj figurës së tij janë të ndryshme. Një pjesë e konsideron si pasardhës të denjë të diktatorit Hoxha, ndërsa një pjesë tjetër gjykon se ai megjithatë shmangu një gjakderdhje në vend duke mundësuar një kalim të butë nga regjimi komunist në demokraci.

XS
SM
MD
LG