Lidhje

Çernobili ende shqetësim për përhapjen e mbetjeve bërthamore


Çernobili ende shqetësim për përhapjen e mbetjeve bërthamore
Çernobili ende shqetësim për përhapjen e mbetjeve bërthamore

Ndërsa vazhdojnë njoftimet negative nga katastrofa bërthamore në Fukushima të Japonisë, tani bota po e përqëndron vemendjen tek Çernobili, një central bërthamor i kohës së Bashkimit Sovjetik në Ukraninë, i cili shpërtheu para 25 vjetësh. Ndërsa Çernobili është shndëruar tani në një pikë turistike, autoritetet atje janë ende të shqetësuar rreth përhapjes së mbetjeve bërthamore.

Aleksander Sirota thotë se i pëlqen të vizitojë shtëpinë ku u rrit, ku kaloi pjesën më të gëzuar të fëmijërisë së tij. Letra e murit po bie... Boja në mure po ripet... Ky apartament fantazëm ndodhet në një rrugë fantazëm ... në një qytet fantazëm.

Qyteti Pripjat, ku u rrit Aleksandri, ndodhet 13 kilometra larg centralit bërthamor të Çernobilit.

Para 25 vjetësh, më 26 prill 1986, reaktori numër 4 shpërtheu dhe të 50 mijë banorët e qytetit Pripryat u evakuuan.

Në vitet 1970-të, Çernobili ishte centrali më i madh bërthamoar në Evropë. Në vitin 1986, ai u bë vendi i katastrofës më të madhe bërthamore në botë.

Pas katastrofës bërthamore në Fukushima të Japonisë, bota po e kthen vemendjen në Çernobil, ku para 25 vjetësh një shpërthim bërthamor shkatërroi një reaktor të tërë.

Fillimisht autoritetet sovjetike mohuan se kishte ndodhur një aksident. Më pas, ata evakuan 330 mijë njerëz. Sot, pas 25 vjetësh, një sipërfaqe prej 4 mijë e 300 kilometrash katrore mbetet e pabanuar.

Por në janar të këtij viti, autoritetet ukrainase vendosën që, çerek shekulli pas aksidentit, Çernobili është i sigurtë për turizëm.

Disa prej turistëve vënë maska ..... dhe shumë të tjerë blejnë stilolapsa si kujtim nga Çernobili.

Maximi nga Donetsku thotë se turizmi në Çernobil është me të vërtetë diçka interesante, siç shprehet ai, megjithatë ai nuk mundi të bindte asnjë prej shokëve të tij të shkonin me të.

"Ata thonë se unë jam i çmëndur. Ata kanë shumë frikë nga radioaktiviteti”- thotë ai.

Pika kryesore për turistët është qyteti Pripyat. Një qytet model para katastrofës, Pripyat është tani një Pompeii sovjetik, një pikë katastrofe e kthyer në një pikë turistike.

Sot, autobuzi me turistë kalon nëpër bulevardin Lenin, ndërkohë që dëgjohet regjistrimi original i njoftimit për evakuuimin.

Pas 25 vjetësh, pemët janë rritur përsëri nëpër parqe dhe kënde lodrash të fëmijëve ... tavanët e ndërtesave, po ashtu edhe çatitë, po bien, siç po ndodh në shkollën fillore të Aleksanderit.

Aleksandri qëndron në mencën e shkollës dhe e ka të vështirë të imagjinojë përsëri ditët kur ajo gjallëronte nga zhurma e nxënësve.

Pajisjet elektrike janë ndryshkur, dhe ndërsa disa dritare janë mbyllur me kompensatë, pas 25 dimrash dhe 25 beharesh, shumë prej tyre janë shpërbërë.

Një park argëtimi qëndron aty i ngrirë, në pritje të festimeve me rastin e ditës së 1 Majit, që nuk erdhi kurrë. Para se pranvera të mbulojë me gjelbërim qytetin bërthamor, arkeologët amatorë gjejnë shenja të propagandës sovjetike, si thurrja e lavdeve për 50 vjetorin e krijimit të Bashkimit Sovjetik … dhe thirrjet për atome të paqes.

Megjithatë inxhinjerët vazhdojnë të jenë të shqetësuar rreth rrezikut të përhapjes së radioaktivitetit nga kjo pike.

Lorin Dod, amerikane që punon këtu, e shqetëson mënyra se si është bllokuar ky central i shkatërruar bërthamor:

“Vetë struktura e këtij centrali bërthamor është si një ndërtesë prej letre. Ajo u ndërtua në kushte shumë të vështira dhe aty ka ende të çara nga ku hyjnë e dalin kafshë dhe shpendë. Brenda saj ka ende 200 tonelata lëndë radioaktive."

E ndërtuar mbi shina me një lartësi që mund të mbulojë Statujën e Lirisë në Nju Jork, struktura e re mbyllëse është më e madhja në botë, madje edhe lëvizëse. Së shpejti, zyrtarët ukrainas do të organizojnë një konferencë donatorësh në Moskë për të mbledhur 1 miliardë dollarë në mënyrë që të vazhdojë ndërtimi i strukturës, e cila synon ta mbajë të mbyllur edhe për një shekull katastrofën bërthamore të Çernobilit.

Ndërsa autoritetet në Japoni mund të mësojnë së shpejti se aksidentet e mëdha bërthamore kanë një fillim, nuk dihet me siguri se kur dhe nëse ato marrin fund ndonjëherë.

XS
SM
MD
LG