Lidhje

Çështja e xhamisë në Nju Jork mund të ketë ndikim në zgjedhjet e nëntorit

  • Jim Malone

Komentet e fundit të presidentit Obama mbi çështjen delikate të ndërtimit të një xhamie afër kuotës zero ku u realizuan sulmet terroriste të 2001-tës në Nju Jork janë shndërruar në një debat politik kombëtar vetëm disa muaj para zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin amerikan.

“Epiqendra e sulmeve terroriste në të vërtetë është vend i shenjtë. Por më lejoni të jemi i qartë me ju. Si qytetar dhe si president i vendit, unë besoj se myslimanët kanë të drejtë të ushtrojnë besimin e tyre si çdokush tjetër në këtë vend përfshirë të drejtën për ndërtimin e një vendi për adhurim në një qendër komuniteti në një pronë private në Manhatanin e poshtëm.”

Një ditë pas këtyre komenteve të bëra në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se megjithëse ai mbështet të drejtën e myslimanëve për ndërtimin e një qendre komuniteti dhe një xhamie afër epiqendrës së sulmeve terroriste, ai nuk donte të komentonte se sa me vend e konsideronte këtë zgjedhje.

Komentet e presidentit revoltuan shumë kundërshtarë të ndërtimit të xhamisë në afërsi të vendit ku kanë ndodhur sulmet terroriste të vitit 2001. Në mesin e tyre është edhe ish guvernatorja e Alaskës Sarah Palin, e cila po inkurajohet nga disa konservatorë që të konkurojë në garën presidenciale të vitit 2012.

“Kjo çështje shkakton dhimbje. Kjo është një goditje ndaj viktimave të pafajshme të cilët u vranë me 11 shtator të vitit 2001. Si mund ta përshkruash ndryshe? Ai nuk e kupton se ky plan nuk përfill ndjenjat e njerëzve.”

Ndërtimi i xhamisë ishte çështje e debatueshme kryesisht në Nju Jork para ndërhyrjes së presidentit, dhe disa republikanë tani shpresojnë ta bëjnë këtë pjesë të debatit kombëtar para fillimit të zgjedhjeve të nëntorit për Kongres.

Sipas një ankete të opinionit publik e kryer nga CNN, 68% e të anketuarve kundërshtojnë ndërtimin e qendrës islamike kaq pranë epiqendrës së sulmeve terroriste të vitit 2001.

Por presidenti Obama mori pikë për qëndrimin e tij parimor në mbështetje të atyre që duan të ndërtojnë xhaminë.

Nihad Awad është drejtor ekzekutiv i Këshillit mbi Marrdhëniet Amerikano-Islamike. Ai u intervistua nga Zëri i Amerikës.

“Këto janë parimet e të drejtave kushtetuese të Amerikës që nuk duhet të anashkalohen, negociohen, apo të jenë subjekt i ndjenjave emocionale të atyre që janë kundër ndërtimit të xhamisë e që ka orkestruar këtë reagim histerik nga disa politikanë. Deklarata e presidentit ishte e nevojshme dhe në kohën e duhur.”

Por kjo deklaratë do të kuptohet më ndryshe në arenën ndërkombëtare se sa në vend, thotë John Farina, një ekspert i fesë në universitetin George Mason në Virxhinia.

“Duke e parë tekstin, unë mendoj se deklarata kishte një mesazh i cili thekson faktin se Amerika beson në idealet e veta edhe kur nuk u shkon për shtat disa vetave. Ky është një mesazh i mirë. Por kjo nuk është mënyra si e komentojnë disa amerikanë.”

Analistët e politikës thonë se duke marrë parasysh kundërshtimin e opinionit publik ndaj ndërtimit të xhamisë afër epiqendrës së sulmeve terroriste, presidenti dhe demokratët do të paguajnë një çmim politik për këtë çëshjte në zgjedhjet e nëntorit.

Larry Sabato është drejtues i Qendrës për Politikat në universitetin e Virxhinias.

“Ishte politikisht e gabuar dhe e panevojshme për presidentin Obama që të mbante një qëndrim mbi një çështje lokale. Kjo i ka shtuar një barrë të panevojshme kandidatëve demokratë, të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit e në të cilat natyrisht se Obama nuk do të marrë pjesë.”

Shumë demokratë do të dëshironin të pyeteshin për çështjen e debatueshme të ndërtimit të xhamisë. Dhe disa nga kandidatët nuk janë dakord me presidentin përfshirë udhëheqësin e shumicës në senat, Harry Reid, i cili ka dhënë një deklaratë në të cilën thotë se ata që dëshirojnë ndërtimin e xhamisë duhet të shikojnë një vend tjetër për ndërtimin e saj. Senatori Reid është i përfshirë në një betejë të fortë zgjedhore për t’u rizgjedhur në shtetin e tij të Nevadës.

Por analisti Sabato thotë se ekonomia do të jetë çështja kryesore e zgjedhjeve të nëntorit, duke anashkaluar çështjen e debatueshme të ndërtimit të xhamisë, imigracionin e paligjshëm dhe një numër çështjesh tjera me të cilat po ballafaqohet vendi.

XS
SM
MD
LG