Lidhje

Çështja kurde dhe ndikimi tek parlamenti i ri i Turqisë

  • Dorian Jones

Çështja kurde dhe ndikimi tek parlamenti i ri i Turqisë

Çështja kurde dhe ndikimi tek parlamenti i ri i Turqisë

Votimi në parlamentin turk për t’i dhënë votëbesimin qeverisë së re, u pengua nga bojkoti i deputetëve pro-kurdë, të cilët protestuan kundër burgimit të kolegëve të tyre. Siç njofton korrespondenti ynë Dorian Jones nga Stambolli, kjo protestë u zhvillua ndërsa shtohen tensionet lidhur me kërkesat e kurdëve për më tepër të drejta.

Partia AK në pushtet në Turqi, siguroi me lehtësi votëbesimin për qeverinë e re me 322 vota pro nga të 522 ligjvënësit. Por deputetët por-kurdë të Partisë BDP refuzuan të bënin betimin për të protestuar kundër burgimit të 6 prej kolegëve të tyre.

Para votimit, Kryetari i Parlamentit Kemil Çiçek organizoi një takim të deputetëve të Partisë AK dhe të udhëheqësve të partisë BDP, Selahatin Demitras dhe Gultan Kisanak, për t’i dhënë fund bojkotimit. Por kjo përpjekje dështoi. Udhëheqësi i partisë pro-kurde Demitras tha se nuk pati shtytjen e nevojshme nga ana e qeverisë. Ai tha se Partia e tij është e hapur për më tepër bisedime.

Ai thotë se problemet më të mëdha të Turqisë mund të zgjidhen përmes dialogut, diskutimit dhe përpjekjes për mirëkuptim.

Partia BDP fitori 36 vende në Parlament nga zgjedhjet e muajit të kaluar. Deputetët pro-kurdë bëjnë thirrje që qeveria të paraqesë një reformë ligjore për të siguruar lirimin e 5 deputetëve që janë ndaluar sipas ligjeve turke kundër terrorizmit.

Një i burgosur i 6-të, deputeti kurd, Hatip Dicle, e humbi vendin në Parlament, për shkak se u gjend fajtor për një fjalim që ai mbajti, i cili u konsiderua si një formë rezistence.

Analisti politik Cengiz Aktar thotë se qeveria duhet ta zgjidhë bojkotin, në se do që të arrijë qëllimin e vet për reformën kushtetuese.

Qeveria e tretë nën drejtimin e partisë AK nuk do të jetë e aftë të realizojë miratimin e një kushtetute të re, e cila ka nevojë për konsensus të madh, sidomos me kurdët. Askush nuk mund të imponojë zgjidhjen e vet ndaj konfliktit kurd. Ky konflikt do të zgjidhet një ditë, përmes një dialogu të gjerë, - thotë studjuesi.

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan i bëri thirrje deputetëve pro-kurdë t’i japin fund bojkotit, duke thënë se bashkëpunimi i tyre është i nevojshëm në shkrimin e Kushtetutës së re. Zoti Erdogan ka vënë si përparësi të punës së qeverisë së tij zëvendësimin e kushtetutës aktuale, e cila u hartua nga ish-qeveria ushtarake e vendit. Shumica e analistëve fajësojnë Kushtetutën për shumë porbleme që ka Turqia, në veçanti trajtimin e pakicës kurde, e cila përbën 20 për qind të popullsisë.

Zoti Erdogan ka theksuar nevojën për konsensus, por ai nuk ka ndërhyrë në procesin e burgimit të deputetëve kurdë. Udhëheqësi i burgosur i grupit të rebelëve kurdë PKK, Abdullah Oçalan, ka bërë thirrje t’i jepet fund bojkotimit.

Gazetari i çështjeve politike Asli Ajdintasbas i gazetës “The Turkish Milliyet”, thotë se kjo i ve deputetët kurdë në një pozitë të vështirë.

Ata ndodhen në një situatë të vështirë. Nga njëra anë nuk përfitojnë ndonjë lëshim për anëtarët e partisë së tyre në burg dhe në anën tjetër, ata ndeshen me kërkesën e Oçalanit.

Analistët thonë se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, anëtare e së cilës është edhe Turqia, mund të ofrojë rrugëdalje nga kjo situatë e vështirë. Deputetët kurdë e kanë çuar çështjen në gjykatë. Por edhe në kushtet e një procesi të përshpejtuar, ka mundësi që të kalojnë muaj para marrjes së një vendimi për këtë çështje.

Deputetët kurdë po ashtu janë nën presion nga lëvizja për të drejtat kurde, e cila po u bën thirrje deputetëve ta çojnë fushatën e tyre edhe jashtë Parlamentit, në kushtet kur janë rritur kërkesat për deklarimin e autonomisë me forma demokratike. Ja si shprehet gazetari Asli Aydintasbas:

“Në se kurdët do të donin sot të kryenin akte në kundërshtim me ligjin në Stamboll, Ankara dhe Dijabakir, më besoni, nuk do të kishte një ndikim më të vogël se ato që ndodhën në Sheshin Tahrir të Egjiptit.

Forcat rebele të Partisë kurde PKK, të cilat po luftojnë kundër shtetit turk, i kanë shtuar operacionet këtë muaj me vrasjen e dy ushtarëve turq dhe rrëmbinin e një tjetri. Analistët thonë se mënyra se si do të zgjidhet çështja e bojkotimit të Parlamentit nga partia kurde mund të përcaktojë të ardhmen e Parlamentit të ri të Turqisë.



XS
SM
MD
LG