Lidhje

Banka Botërore: "CEZ na zhgënjeu"


Banka Botërore deklaroi sot se është shumë e zhgënjyer nga kompania e shpërndarjes së energjisë CEZ, dhe se marrëdhëniet e saj me Shqipërinë në këtë privatizim “pritet të mbyllen me divorc brenda pak muajve të ardhshëm”. Kështu deklaroi sot në Tiranë Jane Armitage, drejtore rajonale e Bankës Botërore për Europën Juglindore.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer lidhur me privatizimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë - tha zonja Armitage. - Banka Botërore e ndihmoi qeverinë që të merrte një vendim lidhur me privatizimin, i cili ishte transparent dhe konkurrues. CEZ fitoi privatizimin dhe ne ishim shumë entuziastë, sepse CEZ ka përvojë të madhe dhe emër të mirë ndërkombëtar. Të gjithë pritnin që CEZ të ulte humbjet teknike dhe financiare dhe të përmirësonte mbledhjen e faturave nga konsumatorët. Por sot pas 3 vjet e gjysëm ne jemi thellësisht të zhgënjyer për këtë privatizim, njëlloj si qytetarët dhe qeveria shqiptare”.

Sipas drejtoreshës rajonale të Bankës Botërore, CEZ nuk arriti të ulte humbjet teknike dhe financiare, përkundrazi ato u rritën, CEZ nuk arriti të mblidhte paratë e faturave të mëparshme, madje ato u përkeqësuan. Nga ana tjetër, qytetarët dhe qeveria nuk paguan rregullisht faturat dhe institucionet nuk bënë detyrat e tyre. Kjo do të sillte solli rritjen e çmimit të energjisë, gjë që nuk e shmangu dështimin, tha ajo. “Situata është shumë e vështirë. CEZ dhe qeveria janë duke diskutuar për një rrugëdalje, ata kanë marrë avokatë dhe negociatat janë shumë delikate” - tha zonja Armitage.

Banka Botërore është e gatshme që t’i japë 100 milionë dollarë borxh qeverisë për të importuar energji në situatat e vështira që mund të vijnë. Banka Botërore i ka nxitur qeverinë dhe CEZ-in të zgjidhin mosmarrëveshjet gjatë gjithë vitit të fundit. Janë shumë takime për këtë.

“Nga të dy palët ka shumë mosbesim mendoj se në pikën e tanishme kjo lidhje ngjan me një martesë, që i ka ardhur dita për divorc. Por problemet mbeten të njëjta; rritja e çmimeve, mbledhja e faturave, investimet themelore për të shmangur humbjet teknike dhe financiare; të gjitha këto janë sfida për kompaninë e re që do të pasojë CEZ-in, por për vetë CEZ-in koha ka mbaruar, nuk u arritën marrvëshje me qeverinë, dhe pas pak muajsh po vjen divorci mes tyre” - tha zonja Armitage.

Ndërsa për ekonominë shqiptare në përgjithësi, sipas Bankës Botërore sfidat janë forcimi i sektorit publik, përmirësimi i situatës ekonomike, vazhdimi i reformave strukturore, ulja e borxhit publik dhe shlyerja e detyrimeve shumëvjeçare ndaj kompanive private që kanë bërë ndërtime publike.
XS
SM
MD
LG