Lidhje

Gati administratori që do zëvendësojë CEZ-in

  • Armand Mero

Enti Rregullator i Energjisë miratoi kriteret dhe kompetencat e administratorit në rast të heqjes së licencës grupit çek që drejton shoqërinë e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri

Në Shqipëri Enti rregullator i Energjisë vendosi sot që në rast të heqjes së licencës ndaj kompanisë ceke e cila kontrollon operatorin e sistemit të shpërndarjes, atëherë drejtimi i kompanisë t’i besohet një administratori shtetëror. Enti miratoi sot rregulloren për emërimin e administratorit dhe kompetencat e tij. Brenda javës së ardhshme pritet të meret vendimi për licencën e CEZ-it.


Fati i kompanisë ceke në Shqipëri është tanimë i shkruar. Vetë drejtuesit e CEZ-it kanë nxjerrë në shitje paketën e aksioneve në shoqërinë e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri, ndërsa dhe për palën shqiptare marrëdhënia me cekët shihet si një kapitull i mbyllur dhe largimi i tyre vetëm çështje kohe. Për këtë arsye, ndonëse juridikisht nuk është marrë asnjë vendim, Enti Rrregullator i Energjisë, autoriteti më i lartë në këtë sektor, po mendon të mos lerë asnjë boshllëk pas ndërprerjes së pritshme të raporteve me CEZ-in.

“Enti rregullator kur ëhstë në kushtet e heqjes së licencës duhet të zbatojë një kusht të përkohshëm të zgjedhur mes opsioneve të dhëna nga ligji në mënyrë që pajisjet dhe asetet në pronësi të të licensuarit, të mund të vazhdojnë të funksionojnë në sigurimin e furnizimit me energji për klientët”, u shpreh drejtori juridik i ERE-s, Eduard Elezi

Alternativat sipas ligjit janë tre. Ose CEZ-it, në këtë rast, t’i lihej e drejta të vazhdonte veprimtarinë përkohësisht, ose drejtimi t’i besohet një apo disa kompanive private, ose varianti i tretë, i përzgjedhur nga Ere, që kompania të kalojë në dorën e një administratori të përzgjedhur nga Enti. Rregullorja e miratuar sot përcakton mënyrën e emërimit të administratorit si dhe detyrat e kompetencat e tij. Aktiviteti i administratorit zgjat derisa licenca t’i jepet një shoqërie tjetër, e ndërkohë ai përgjigjet periodikisht përpara Entit rregullator: “Adminstratori do të bëjë raportimet periodike mujore në lidhje me situatën financiare të shoqërisë , kushtet operacionale dhe vlerësimin e stabilitetit dhe mundësinë e oeracioneve të mëtejshme”, shpjegoi drejtori juridik Elezi.

Historia e cekëve në Shqipëri ka qenë zhgënjyese që në hapat e saj të parë. Kompania asnjëherë nuk arriti të përmbushte objektivat e përcaktuara në kontratë. Viti i kaluar shënoi dhe kulmin kur investimet e parashikuara u realizuan vetëm 7 përqind, ndërsa të gjithë parametrat u përkeqësuan përtej niveleve në të cilat CEZ e gjeti shoqërinë e shpërndarjes së Energjisë. Çekët nga ana e tyre kanë fajësuar për gjendjen e krijuar vendimet e autoriteteve shqiptare për tarifat e energjisë apo dhe veprime të paligjshme që sipas tyre janë kryer në kurriz të kompanisë. Por largimi i CEZ-it nuk do të jetë i thjeshtë dhe pritet të jetë një luftë në vazhdim me histori të gjata gjyqesh dhe në Arbitrazhin ndërkombëtar, e për këtë të dyja palët janë përgatitur duke pajtuar firma të njohura konsulente në fushën e energjisë.

XS
SM
MD
LG