Lidhje

CEZ njofton shkurtime energjie pa dallim


Sipas statistikave të INSTAT për gjysmën e parë të vitit, rreth 50 për qind e energjisë elektrike në rrjet nuk paguhet nga qytetarët.

Kompania çeke e shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ njoftoi publikun në Tiranë se do të ndërpresë energjinë elektrike pa dallim çdo konsumatori që nuk paguan energjinë e faturuar. Përfaqësues të kompanisë deklaruan se janë duke prerë një mori lidhjesh të paligjshme të banorëve në rrjetin elektrik, dhe po mbledhin mijëra pagesa të prapambetura të energjisë nga qytetarët.

Drejtuesi i organizatës së bizneseve Konfindustria Gjergj Buxhuku thotë se “rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike është hallka më e dobët e sistemit energjitik të Shqipërisë. Rrjeti i shpërndarjes së energjisë tek klientët fundorë është shumë i dëmtuar, mijëra klientë nuk paguajnë faturat e energjisë së harxhuar, dhe mijëra të tjerë e vjedhin atë me lidhje të paligjshme”.

Zoti Buxhuku thotë se Korporata energjitike e Shqipërisë (KESH) dhe ajo e Kosovës (KEK) po bashkëpunojnë ngushtë duke shkëmbyer energjinë për të furnizuar sa më rregullisht banorët në dy anët e kufirit. Ai vlerësoi projektet për të ndërtuar linjat e transmetimit të energjisë të Shqipërisë me vendet e rajonit, duke ërkuar shpejtimin e punimeve për linjën Tiranë - Prishtinë.

INSTAT publikoi ndërkaq një raport mbi gjendjen energjitike të Shqipërisë, ku bien në sy shifrat në rritje të humbjes së energjisë elektrike në rrjet. Sipas statistikave të Institutit për gjysmën e parë të vitit, rreth 50 për qind e energjisë elektrike në rrjet nuk paguhet nga qytetarët, e faturuar ose jo. Ky tregues shënon një përkeqësim të mëtejshëm të menaxhimit në shpërndarjen e energjisë elektrike. Në kohën kur rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike ishte ende shtetëror humbjet ishin reth 30 për qind. Kjo shtyu atëherë autoritetet shtetërore që ta ndanin dhe ta privatizonin kompaninë energjitike.

XS
SM
MD
LG