Lidhje

Virusi Ebola shkakton vdekjen e shumicës së viktimave


Përhapja e virusit Ebola ka goditur Ugandën. Organizata Botërore e Shëndetsisë dhe zyrtarë lokalë po marrin masa për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje, që shkakton vdekje të shpejtë dhe për të cilën nuk ka as trajtim dhe as kurë. Vidushi Sinha e Zërit të Amerikës njofton rreth aspekteve që njihen dhe që nuk njihen të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Deri tani numri i viktimave është rreth dhjetë, por vdekjet nga shpërthimi i virusit Ebola po shtohen.

Spitali, ku ndodhen shumica e pacientëve në distriktin Kibaale të Ugandës perëndimore ka krijuar dhoma të izoluara për personat, që dyshohen të kenë pasur kontakt me individë të infektuar.

Presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni u ka bërë thirrje njerzve që të shmangin çdo kontakt fizik që kjo sëmundje shumë ngjitëse të mos përhapet edhe më tej.

“Ju bëj thirrje që të jeni vigjilentë, shmangni shtrëngimin e duarve dhe mos varrosni dikë që mund të ketë vdekur nga simptoma të virusit Ebola. Kontaktoni punonjës të shëndetsisë për ta bërë këtë dhe shmangni marrëdhëniet me njerëz që nuk i njihni mirë, sepse kjo sëmundje ngitet edhe nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.”

Virusi Ebola është shumë rezistent dhe mbijeton tek kufomat e njerzve, prandaj edhe zyrtarët në Ugandë kanë paralajmëruar që viktimat e Ebolës të varrosen nga punonjësit e shëndetsisë.

Ky virus shkakton vdekjen e 50 për qind të të infektuarve.

Zyrtarët e shëndetit publik janë në dijeni të 5 formave të virusit Ebola, disa më vdekjeprurëse se të tjerët. Tariq Jasarevic është zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetsisë.

“Periudha e infeksionit zgjat nga 2 deri në 21 ditë. Sa më e fortë të jetë doza e virusit aq më e shkurtër është kjo periudhë. Simptomat janë temperatureë e lartë, vjellje, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, që herë herë pasohet me hemoragji të jashtme e të brendshem dhe në rastet që shkaktojnë vdekjen, kjo vjen si pasojë e mosfunksionimit të mëlçisë dhe të veshkave.”

Shkencëtarët nuk e dinë ende origjinën natyrale të virusit.

“Ende mendojmë se virusi transmetohet mes kafshëve, ka të ngjarë mes shpendëve ose majmunëve e shimpanzeve. Gjuetarët, që shkojnë në pyje dhe vrasin kafshë, hanë mishin e tyre dhe infektohen. Dhe pikërisht këtu virusi hyn tek njerzit dhe transmetohet mes njerzve.”

Ekspertët dyshojnë se para se virusi Ebola të prekë njerëzit, ai jeton tek majmuni dhe lakuriqi i natës. Ministria e Shëndetësisë e Ugandës po studion kafshët e egra dhe të buta në zonat ku është përhapur virusi Ebola në përpjekje për të identifikuar burimin më të mundshëm.
XS
SM
MD
LG