Lidhje

Griffin: Martesa është mes dy njerëzve që duhen

  • Julian Zyla

Një nga aktivistët kryesorë për të drejtat e homoseksualëve në Shtetet e Bashkuara, Chad Griffin, thotë se martesa mes personave të të njëjtit seks është çështje lirie dhe barazie mes qytetarëve para ligjit. Presidenti i organizatës Fushata për të Drejtat e Njeriut (HRC), tha në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës se “martesa është mes dy njerëzve që duhen” dhe se ky institucion garanton trajtim të njëjtë ligjor edhe për fëmijët e çifteve të të njëjtit seks. Gjatë intervistës me kolegun Julian Zyla, zoti Griffin flet edhe për çështjen e Gjykatës së Lartë mbi martesat e homoseksualëve në Kaliforni, për të cilën ai ishte një nga nismëtarët.

Gabim i serverit

Oops, as you can see, this is not what we wanted to show you! This URL has been sent to our support web team to the can look into it immediately. Our apologies.

Please use Search above to see if you can find it elsewhere


Zëri i Amerikës: Më 26 qershor, Gjykata e Lartë refuzoi shqyrtimin e çështjes mbi ligjin e Kalifornisë që ndalonte martesat mes personave të së njëjtës gjini dhe, për shkak të vendimit të mëparshëm që mbeti në fuqi, martesat e të njëjtit seks rifilluan në atë shtet. Ju jeni njëri nga nismëtarët e kësaj çështjeje gjyqësore dhe kreu i organizatës më të madhe të të drejtave për personat LGBT. Cili është mendimi juaj mbi atë vendim?

Chad Griffin: Ishte pa dyshim një ditë historike. Ishte një ditë historike për Amerikën. Ligji "Proposition 8" ishte bërë një simbol diskriminimi në këtë vend dhe në një farë mënyre në mbarë botën për njerëzit LGBT. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, duke mbajtur në fuqi vendimin e gjykatës më të ulët, bëri të mundur që ky ligj i Kalifornisë të hiqej, të shembej më në fund pas një beteje prej katër vitesh e gjysmë. Sot, çifte të dashuruara, në të gjithë shtetin e Kalifornisë, mund të gëzojnë lirinë e martesës me personin që duan dhe fëmijët që po rriten prej këtyre prindërve tani kanë mbrojtjet që ofron ligji. Dhe kjo është edhe arsyeja e kësaj beteje.

Zëri i Amerikës: Kritikët e martesave të të njëjtit seks thonë se kjo do të ndryshonte në thelb institucionin e martesës për të gjithë dhe se ata e shohin martesën si një bashkim vetëm mes një burri dhe një gruaje. Si i përgjigjeni këtij këndvështrimi?

Chad Griffin: Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara është shprehur në kuadër të shumë çështjeve në kohë të ndryshme se, në këtë vend, martesa është themelore për gjetjen e lumturisë. Qartësisht, martesa është mes dy njerëzve që duhen. Në fakt, institucioni i martesës ofron mbështetje dhe mbrojtje ligjore për çiftin dhe për familjen e tyre, për fëmijët që ata rrisin. T'i mohosh këto të drejta kujtdo prej qytetarëve të këtij vendi është kategorikisht antiamerikane. Përsa i përket kritikëve, mund t’ju them se në 13 shtete dhe në kryeqytetin e vendit ka aktualisht barazi martesore dhe nuk kam njohur kurrë ndokënd, qoftë edhe një çift të vetëm heteroseksual, që të mund të thonë se martesa e tyre u prish sepse çifti homoseksual fqinj me ta u martua. Ky koncept është absolutisht i rremë dhe fakti që po lejojmë gjithmonë e më shumë qytetarë të këtij vendi të gëzojnë të drejtën dhe lirinë për t'u martuar na bën të gjithëve më tepër “amerikanë”.

Zëri i Amerikës: Disa kundërshtarë të martesave të të njëjtit seks thonë se meshkujt ose femrat homoseksuale mund të lejohen të qëndrojnë së bashku në lloje të tjera lidhjesh, si bashkimet civile. Por ju dhe mbështetës të tjerë të barazisë martesore argumentoni se kjo nuk është e mjaftueshme. Përse martesa është e rëndësishme për çiftet LGBT?

Chad Griffin: Të veçosh një klasë njerëzish, të veçosh një pjesë të popullsisë dhe t’i thuash se ata mund të kenë disa të drejta të caktuara, por duhet t’i emërtojnë ato ndryshe, do të thotë të përdorësh konceptin “të ndarë por të barabartë”, që u përdor në disa shtete kundër lëvizjes për të drejtat civile të viteve '50 dhe '60. Kjo është diçka që ne nuk e bëjmë në këtë vend. Ne jemi një vend i vetëm, jemi një popull i vetëm dhe personat LGBT – homoseksualët amerikanë, meshkuj dhe femra – duhet të kenë të njëjtën të drejtë për t'u bashkuar nën institucionin e martesës ashtu si kanë mundësi miqtë, kolegët apo fqinjët e tyre heteroseksualë.

Zëri i Amerikës: Gjykata e Lartë, në çështjen tjetër rreth martesave mes homoseksualëve që shqyrtoi, vendosi se qeveria federale duhet t’i njohë këto martesa në rastet kur shtetet i lejojnë ato. Por cili është hapi juaj i ardhshëm, duke patur parasysh që ende shumica e shteteve nuk i lejon martesat e të njëjtit seks?

Chad Griffin: Vendimi i çështjes Windsor rrëzoi të ashtuquajturin Ligji për Mbrojtjen e Martesës (DOMA), i cili pengonte qeverinë tonë federale të njihte martesat e së njëjtës gjini ku ato ishin të ligjshme. Shfuqizimi i këtij ligji lejon tashmë çiftet e martuara ligjërisht në ato shtete të jenë pjesë e mbi 1 mijë e 100 përfitimesh apo mbrojtjesh të ofruara prej ligjeve federale. Pra tashmë martesat e atyre çifteve do të njihen nga qeveria federale. Hapi i ardhshëm është që ne të vazhdojmë të bëjmë përparim, deri sa të kemi barazi martesore në të 50 shtetet në këtë vend. Na mbeten ende 37 shtete. Pra, në vitet e ardhshme, mendoj se do të arrijmë barazi martesore nëpërmjet miratimit të legjislacioneve, me anë të referendumeve, në disa raste me vendime gjykatash dhe me siguri brenda pak viteve do të mund të kemi sërish një çështje tjetër para Gjykatës së Lartë dhe jam i bindur se kur kjo të ndodhë do të kem lejim të martesave në të gjitha shtetet e këtij vend.

Zëri i Amerikës: Shumë politikanë, kryesisht të Partisë Demokrate, janë shprehur kohët e fundit në mbështetje të martesave mes homoseksualëve, duke përfshirë presidentin Obama – i cili ju telefonoi personalisht për t’ju përgëzuar në ditën e vendimit të Gjykatës së Lartë – ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton – që publikoi një video për të shprehur mbështetjen e saj pikërisht përmes organizatës suaj – por edhe dy senatorë republikanë, të cilët tani mbështesin martesat e të njëjtit seks. Por udhëheqës të tjerë politikë vazhdojnë të jenë kundër, si kreu i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner. Cili është parashikimi juaj lidhur me të ardhmen e ndikimit të politikës amerikane në këtë çështje?

Chad Griffin: E vërteta është se si në këtë vend, por edhe në mbarë botën, të gjitha hulumtimet e bëra tregojnë se kur njerëzit na njohin nuk na urrejnë, kur njerëzit na njohin nuk dëshirojnë më pak të drejta për ne. Sondazhet këtu në Shtetet e Bashkuara tregojnë se më shumë se 8 në 10 amerikanë thonë se njohin dikë në rrethin e ngushtë të familjes së tyre apo në rrethin e tyre të ngushtë shoqëror që është person LGBT. Dhe kur ata i njohin këta persona gjithmonë opinioni i tyre evoluon drejt mbështetjes së plotë, për barazi dhe liri sipas ligjit. Kjo prirje do të vazhdojë. Politikanët të cilët ende nuk e mbështesin këtë çështje të drejtë janë duke shkuar në atë drejtim dhe mendoj se do të ecin drejt mbështetjes me hapa edhe më të shpejtë, ndërkohë që kjo çështje zhvillohet më tej. Tani, më tepër sesa thjesht shumica e amerikanëve, pra rreth 55 deri 60 për qind e tyre, e mbështesin barazinë martesore. Ky numër vazhdon të rritet çdo vit.

Zëri i Amerikës: Ç’mund të na tregoni rreth përvojës së telefonatës nga Presidenti Obama?

Chad Griffin: Ishte diçka e pabesueshme. Pas vendimit, unë dola nga Gjykata e Lartë me mijëra e mijëra njerëz që festonin dhe ndeza telefonin, i cili shpërtheu me mesazhe, me e-maile dhe përshëndetje në Facebook dhe Twitter nga njerëz, të jem i sinqertë, nga mbarë bota, të cilët ishin të lumtur e të entuziazmuar nga ky vendim. Zbrita shkallët së bashku me paditësit dhe avokatët e çështjes sonë dhe pak pas atij momenti telefoni im filloi të bjerë. Ishte një telefonatë nga Air Force One dhe ishte Presidenti Obama. Ai telefonoi për të dhënë urimet e tij dhe për të më falenderuar mua dhe ekipin tonë, si dhe paditësit e çështjes për guximin që ata patën për të ndërmarrë këtë betejë dhe për të vënë jetën e tyre para syve të publikut, duke na përfaqësuar të gjithëve. Pra, Presidenti telefonoi për të na falenderuar dhe unë falenderova atë për mbështetjen e tij dhe e kujtova se na mbeten ende 37 shtete.

Zëri i Amerikës: Në shumë vende në botë, personat homoseksualë përballen me nivele të ndryshme diskriminimi, duke përfshirë edhe kërcënimet e dhunën fizike. Gjithashtu, në shumë vende, homoseksualiteti konsiderohet si krim. Çfarë mendoni se duhet bërë për të avancuar të drejtat e njeriut për njerëzit homoseksualë në vende të tilla?

Chad Griffin: Keni shumë të drejtë. 74 vende në botë e konsiderojnë krim të qenit homoseksual apo lezbike. Kjo është për të ardhur keq dhe është diçka e papranueshme që dëmton pa masë vëllezërit dhe motrat tona në mbarë botën, veçanërisht ata që jetojnë në ato 74 vende. Por unë jam optimist, pasi bashkësia ndërkombëtare po bashkëpunon gjithnjë e më tepër për të kundërshtuar këtë lloj urrejtjeje dhe fanatizmi kudo që shfaqet. Në fakt ish-sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, e tha më mirë se kushdo tjetër kur u shpreh se "të drejtat e homoseksualëve janë të drejta të njeriut". Dhe Shtetet e Bashkuara po ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me aleatët dhe mbështetësit tanë në të gjithë botën, duke përfshirë ato 74 vende. Unë shpresoj që qeveria jonë dhe qeveri të tjera me të njëjtat principe në mbarë botën të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tona për liri dhe barazi, sepse mbi të gjitha ato janë vlera të përbashkëta për të gjithë ne.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG