Lidhje

Kapet autori i vrasjeve në Karolinën e Jugut


Policia ka vënë nën pranga 21 vjeçarit Dylann Storm Roof në lidhje me vrasjet

Policia ka vënë nën pranga 21 vjeçarit Dylann Storm Roof në lidhje me vrasjen e nëntë personave në një kishte historike në Karolinën e Jugut, në një akt që Presidenti Barack Obama tha se tregon nevojën për reflektim për dhunën nga armët e zjarrit.

21 vjeçari hapi zjarr mbrëmë në një kishë afrikano-amerikane në qytetin Charleston të Karolinës së Jugut.

Ai u kap të enjten në mëngjes në shtetin e Karolinës së Veriut, rreth 400 kilometra larg vendit ku vrau nëntë personat.

Departamenti i Shtetit tha se ka filluar një hetim federal për krim urrejtjeje për vrasjen masive.

Shefi i policisë së Charlestonit, Greg Mullen u tha gazetarëve se Roof, që është i bardhë hyri në kishën Afrikane Metodiste Episkopale Emanuel, gjatë një takimi të përjavshëm lutjesh dhe u ul me besimtarët për një orë para se të hapte zjarr. Disa persona u plagosën.

Të enjten presidenti Obama shprehu dukshëm indinjatën dhe ngriti çështjen e sulmeve të shumta me armë zjarri në gjithë Shtetet e Bashkuara.

“Gjëra të tilla nuk ndodhin kaq shpesh në vende të tjera. Dhe ne e kemi në dorë të bëjmë diçka”, tha Presidenti Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Kryetari i Bashkisë së Charlestonit, Joseph Riley e quajti sulmin “një tragjedi të papërshkrueshme dhe të dhimbshme”.

“E vetmja arsye që një person të hyjë në kishë dhe të vrasë është nga urrejtja. Është veprimi më burracak që mund të imagjinohet”.

Tre burra dhe gjashtë gra u vranë në këtë akt, mes së cilëve prifti i kishës dhe senator i shtetit, Clementa Pinckney.

Një grup banorësh dhe priftërinjsh u mblodhën pranë vendit të ngjarjes dhe krijuan një rreth lutjesh në rrugë.

“Është një situatë e tmerrshme. Dhe ka shumë pyetje ende pa përgjigje. Po dëgjojmë se një burrë i bardhë hyri në një kishë afrikano-amerikane dhe hapi zjarr ndërsa besimtarët po luteshin, po studionin biblën. Kjo është e papranueshme, e papranueshme. Kemi kohë që lutemi, duke u ulur në gjunjë por ka ardhur koha të ngrihemi”, tha një prej tyre.

Policia u detyrua të evakuojë zonën përreth pas një kërcënimi për bombë, që më pas u hoq.

Kisha Emanuel është themeluar në mes të shekullit të 19-ë, duke u bërë një nga objektet fetare më të vjetra afrikano-amerikane në jug të Shteteve të Bashkuara. Një fotografi e udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King, Jr në altarin e Kishës në vitet 1960, u postua në Twitter nga Qendra King.

Guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley ngushëlloi viktimat, duke thënë se “nuk do ta kuptojmë kurrë se çfarë e motivon dikë që të hyjnë në një kishë dhe t’i marrë jetën njerëzve të tjerë”.

Kandidati presidencial republikan Jeb Bush anulloi aktivitetet e fushatës që kishte planifikuar për sot në Charleston.

XS
SM
MD
LG