Lidhje

Muze për Charlie Chaplin


Legjenda e kinemasë Charlie Chaplin kaloi 25 vitet e fundit të jetës së tij në një shtëpi të madhe pranë qytetit zvicerian Vevey pranë Gjenevës. 100 vjet pasi nënshkroi kontratën e parë në kinematografi, puna vazhdon për ta kthyer këtë ndërtesë në një muze kushtuar një prej ikonave më të mëdha të komedisë së shekullit të 20.

Pejsazhi i mrekullueshëm që rrethon liqenin Leman në zonën frankofone të Zvicrës tërheq miliona turistë çdo vit. Ndoshta jo shumë vizitorë e dinë se në këtu në Vevey, legjenda e ekranit Charlie Chaplin kaloi 25 vitet e fundit të jetës së tij.

Një statujë dhe disa dyqane suvenirësh janë të vetmet gjurmë që tregojnë se ky është qyteti i Chaplinit. Aktori u lind në vitin 1889 në lagjet e varfëra të Londrës nga një baba alkoolik dhe një nënë aktore mendërisht e paqëndrueshme.

Pas një fillimi modest në vendlindjen e tij në Angli si interpretues, Chaplin u shpërngul në Shtetet e Bashkuara, ku ai u bë një nga yjet më të mëdha të filmave pa zë.
Ai fitoi kontratën e tij të parë kinematografike me kompaninë Keystone Film në shtator të vitit 1913. Shpejt karakteri i tij skenik do të tërhiqte mbarë botën. Nga viti 1918, ai paguhej më shumë se 1 milion dollarë për tetë komedi.

Në vitet 1950 – gjatë Luftës së Ftohtë – Shtetet e Bashkuara ishin në kërkim të njerëzve të famshëm që dyshoheshin se mbështesnin komunizmin. Charlie Chaplin dhe bindjet e tij të njohura socialiste e bënë atë një objektiv të lehtë për komitetin e konservatorëve që përfundimisht i refuzuan vizën në shtator të vitit 1952.

Janarin që pasoi Chaplin dhe gruaja e tij e katërt Oona O'Neill blenë shtëpinë madhështore Manoir du Ban e rrethuar me 14 hektarë pyje ku kaluan 25 vitet e fundit të Chaplinit. Që nga viti 1991 anëtarët e klanit Chaplin kanë jetuar në këtë shtëpi derisa u larguan në vitin 2008.

Dy vjet më pare familja e shiti shtëpinë një koncorsiumi privat i cili premtoi ta kthejë godinën në një muze që pritet t’i hapë dyer në vitin 2015. Philippe Meylan është anëtar i komisionit pas këtij projekti ambicioz.

"Në këtë shtëpi mund të shohim jetën e Chaplinin nga prespektiva familjare. Do t’i qëndrojmë besnik histories familjare. Por do të ndërtojmë gjithashtu një studio në park për të pasqyruar punën e Charlie Chaplin. Do të jetë një muze modern dhe mjaft interaktiv.Ai do të marr emrin Bota e Chaplinit. "

Para se të martohej me Oonan në vitin 1943 Chaplin kishte qënë i martuar tri herë më pare dhe kishte tre djem. Oona, që ishte 36 vjet më e re se ai, ishte dashuria e tij e vërtetë dhe me të Chaplini më në fund u bë familjar dhe pati tetë fëmijë, përfshi aktoren Geraldine.

Charlie dhe Oona kaluan ditët më të lumtura të jetës së tyre duke shëtitur kopshtet e kësaj prone ku pritën figura të shquara si Sir Winston Churchill, Groucho Marx dhe Albert Einstein.

Chaplin ishte një aktor brilant, një artist i apasionuar si dhe një një skenarist, drejtor filmi dhe kompozitori i virtytshëm. Kritikat e forta sociale mund të shihen gjatë gjithë karrierës së tij të gjerë, ku ai bashkoi dramën me komedinë në një mënyrë unike, prekëse dhe zbavitëse.

Sot shtëpia qëndron pothuajse bosh, por shumica e mobiljeve origjinale do të kthehen nga familja e tij kur puna për infrastrukturën të ketë përfunduar. Muzeu shpreson se restaurimi original do të jetë mënyra më e mire për t’i lejuar vizitorët të kuptojnë sesi jetoi Chaplini.

Mbi këtë piano ai kompozoi kolonën zanore të dy filmave të tij të fundit Mbreti në Nju Jork dhe Kontesha nga Hong Kongu. Ives Durand është një nga organizatorët e Muzeut të Kohëve Moderne. Ai thotë se sfida më e madhe në ndërtimin e muzeut është që ai të reflektojë si duhet ndjenjat e thella humanitare dhe ndërgjegjen sociale të aktorit.

"Ky muze ka për qëllim veçanërisht të jap provat e këtij gjeniu të kinematografisë. Talentin e tij si producent filmi dhe aktor. Ai kishte aftësi imituese të jashtëzakonshme. Por muzeu gjithashtu dëshiron të theksojë dimensionin e punës që ai na ka trashëguar. Puna e tij ishte si qesharake ashtu edhe prekëse. Charlie Chaplin ishte një humanist i madh. Filmat e tij kanë qenë thellësisht shoqëror dhe humanist. Dhe ne do të reklamojmë të gjitha këto karakteristika t’i shohin të gjithë".

Vitet e fëmijërisë së Chaplinit si interpretues cirku ishin një rrugë e gjatë nga vitet e shndritshme të tij në Hollivud kur Amerika e bëri atë të sajin. Në vitin 1919 ai bashkë-themeloi kompaninë e United Artist Studio në SHBA. Filmi i tij i parë irespektuar gjerësisht ishte Modern Times (1936), një parodi therëse mbi gjendjen e ekonomisë kapitaliste në botë.

Në vitin 1940 erdhi Diktatori i Madh, kryevepra e tij e dytë, në të cilën Chaplin tallesh me Adolf Hitler dhe Benito Musolinin. Në vitin 1972, gjashtë vjet pas filmin të tij të fundit Një konteshë nga Hong Kong, Chaplin u kthye në Shtetet e Bashkuara, ku ai mori një çmim të veçantë nderi nga Akademia e Arteve.

Trashëgimia e aktrimit të Chaplin mund të shihet sot tek Geraldina, bijës së tij që jeton aty pranë dhe mbesës së tij Oona Chaplin, aktualisht një yll në serialin televiziv "Game of Thrones".

Laura, motra e Oonas është një artiste që jeton mes të Zvicrës dhe Anglisë. Edhe pse lindur pas vdekjes së gjyshit të saj ajo u rrit e rrethuar nga prania e tij. Si rezultat ajo është duke përuruar një ekspozitë të përhershme në një galeri lokale arti mbi punën e gjyshit të saj. Laura është e gëzuar dhe entuziaste rreth hapjes së muzeut:

"Nga fundi i jetës ai ishte i shqetësuar se do të harrohet. Ai kishte punuar aq shumë dhe kishte një mesazh shumë të fortë për t’u treguar njerëzve që është ende i rëndësishëm në ditët tona. Është e pabesueshme se si ai ishte aq futuristik. Mendoj se do të gëzohej shumë të dinte se njerëzit mund të shkojnë dhe të vizitojnë muzeun. Mendoj se kjo është ajo që ai donte më shumë, për t'u mbajtur mend dhe që njerëzit të dëgjojnë mesazhin e tij ende sot."

Charles Spencer Chaplin vdiq më 25 dhjetor 1977 rrethuar nga gruaja e tij dhe shtatë nga bijtë e tij.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG