Lidhje

Një vjetori i sulmit ndaj revistës “Charlie Hebdo”


Revista satirike franceze Charlie Hebdo shënoi përvjetorin e parë të sulmit vdekjeprurës ndaj zyrave të saj në Paris me një karikaturë provokuese në kopertinën e saj. Numri i revistës i publikuar sot, përmban një karikatur të Perëndisë me një armë automatike të tipit kallashnikov në shpinë me titullin "Një vit më pas: Vrasësi është ende i lirë". Vatikani kritikoi revistën Charlie Hebdo për publikimin e kësaj karikature.

Një vit pas sulmit vdekjepurës ndaj zyrave të saj në Paris, revista satirike, Charlie Hebdo, në numrin e saj të sotëm publikoi një karikaturë provokuese në kopertinën e revistës. Kryeredaktori i saj, karikaturisit që njihet me emrin Riss tha sot se laicizmi francez është duke u sulmuar gjithnjë e më shumë.

Duke folur sot në Paris për radion franceze, gati një vit pas sulmit ekstremist në zyrat e revistës, Riss paralajmëroi se që nga sulmet e janarit të vitit 2015, ndarja e shtetit nga feja, ka qenë objekt i sulmeve të shumta.

“Charlie Hebdo gjithmonë ka mbrojtur laicizmin. Dhe është e vërtetë se është bërë gjithnjë e më e vështirë që të shprehet ky mendim. Vazhdon të sulmohet, të vihet në pikëpyetje dhe të prezantohet si një veprim fundamentalist. Çdo gjë është përmbysur. Tani, laicizmi tradicional i Francës është bërë fundamentalizëm. Laicizmi tani përshkruhet në Francë me fjalë që lidhen me ekstremizmin”.

Vatikani e kritikoi sot revistën Charlie Hebdo për karikaturën e Zotit, duke thënë se karikatura po përdor Zotin për të justifikuar dhunën, duke e quajtur përmbajtjen e kopertinës së revistës një "blasfemi." Vatikani i publikoi komentet në gazetën e vet, Osservatore Romano.

Tetë anëtarë të personelit të revistës Charlie Hebdo u vranë gjatë sulmit të ekstremistëve ndaj zyrave të saj në Paris. Në sulmet tre ditore të ekstremistëve në Paris në janar të vitit të kaluar u vranë 17 njerëz.

Përgjejgësinë për sulmet, që patën në shënjestër edhe një dyqan ushqimor hebraik, e ka marrë Al Kaida në Gadishullin Arabik.

Zyrat e revistës janë sulmuar me bomba zjarri edhe në vitin 2011. Më parë, revista Charlie Hebdo kishte tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për botimin e karikaturave të profetit Muhamed në vitin 2006.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG