Lidhje

Charlie Hebdo, botim special në 2-vjetorin e masakrës


Më 7 janar mbushen dy vjet nga sulmi i përgjakshëm terrorist në redaksinë e revistës satirike franceze Charlie Hebdo që la të vrarë 12 vetë. Për të përkujtuar këtë përvjetor stafi i revistës ka nxjerrë një botim special ku spikat humori i errët, pa dorashka që e dallon këtë revistë. Botimi i kësaj radhe i bën sfidë frikës dhe terrorit që donte të mbillte sulmi i i vitit 2015.

Botimi special që doli në treg sot ka në faqen e parë një burrë bjond duke qeshur, me syrin tek gryka e pushkës së një xhihadisti, me diçiturën “2017, më në fund shohim dritë në fund të tunelit”.

Karikatura është vepër e një artisti të ri që ruan traditën e karikaturistëve të njohur si Charb and Wolinski, të vrarë në sulm.

Por toni optimist i revistës nuk gjen jehonë tek komentet e shumë francezëve, të cilët shprehen se tronditja që shkaktoi ajo ngjarje mbetet e gjallë dhe e dhimbshme në kujtesën e tyre.

“Ishte një ngjarje që të mbetet në mendje. Nuk mbaj mend të ketë pasur një rast tjetër kur i gjithë ekipi redaksional i një gazete të masakrohej në Francë. Nuk mendoj se as Gestapo e ka bërë një gjë të tillë. Është diçka që do të kujtohet për shumë kohë. Ceremonitë përkujtimore që po zhvillohen janë vetëm spektakle me synime politike afat-shkurtra, prandaj nuk u kushtoj rëndësi,” thotë juristi Bernard Maitre.

Sulmi në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo ishte i pari në një seri aktesh terroriste që tronditën Francën në 2015. Në nëntor sulme të koordinuara me armë dhe bomba në një numër vendesh publike lanë 130 të vrarë.

“Charlie Hebdo ishte fillimi, fatkeqësisht këto akte vazhduan. Do të ishte mirë sikur të kishim arritur në fund të tunelit, por unë nuk jam aq optimist. Siç e shoh unë, kjo situatë do të vazhdojë për një kohë të gjatë, shumë të gjatë. Është për të ardhur keq që gjithë këto simbole u sulmuan. Nëse vazhdojmë të luftojmë ndaj këtyre akteve, do të ishte gjë e mirë,” thotë Pierre, menaxher në një bankë.

Vjet, në përvjetorin e parë pas masakrës, Charlie Hebdo hodhi në treg një botim special me një karikaturë të perëndisë me kallashnikov në dorë, shoqëruar me diçiturën “Një vit më pas, ende s’është kapur vrasësi”. Botimi u shit në 1 milion kopje.

Vëllezërit Said and Cherif Kouachi, autorë të sulmit të ndërmarrë në Charlie Hebdo, në emër të degës së al-Qaidës në Jemen, u rrethuan nga policia në një shtypshkronjë në veri të Parisit dhe u qëlluan për vdekje atë pasdite.

Dy vjet pas aktit terrorist, Franca do t’i nderojë viktimat e sulmit me ceremoni përkujtimore.

XS
SM
MD
LG