Lidhje

30 vjetori i katastrofës bërthamore të Çernobilit


Sot është 30 vjetori i katastrofës bërthamore të Çernobilit. Një shpërthim në centralin afër qytetit preku një zonë të gjerë dhe përhapi re radioaktive në mbarë globin. Në Kiev u zhvillua sot ceremonia përkujtimore për të nderuar ata që humbën jetën në incidentin e Çernobilit.

Studenti, Olexander Titarenko, thotë se fatkeqësia nuk duhet harruar:

"Ne kemi ardhur këtu me lule për të përkujtuar heronjtë të cilët kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm, kanë treguar guxim dhe janë përpjekur të parandalojnë këtë katastrofë. Sot janë mbushur 30 vjet nga shpërthimi në uzinën bërthamore të Çernobilit që ka prekur planetin tonë dhe unë mendoj se ndikimi i tij nuk do të zhduket".

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko dhe udhëheqës të tjerë politikë morën pjesë në ceremoninë pranë monumenteve "Heronjtë e Çernobilit" dhe "Ushtarët e Çernobilit" në kryeqytetin ukrainas.

Gjatë katastrofës, dy vetë vdiqën menjëherë, ndërsa 29 të tjerë vdiqën brenda disa javësh. Është përllogaritur se mijëra njerëz të tjerë kanë vdekur nga kanceri dhe sëmundje të tjera në vitet pasuese.

Më shumë se 200 ton uranium ende ndodhen brenda reaktorit, duke nxitur frikë për rrjedhje të reja në këtë zonë, e cila konsiderohet tashmë të jetë e pasigurt për të paktën shekullin e ardhshëm.

Donatorët ndërkombëtarë të hënën premtuan 99 milionë dollarë ndihmë të reja të cilat do të përdoren për përfundimin e një uzine të re për ruajtjen e sigurt të karburantit të Çernobilit.

Reaktori është tani një zonë e madhe ndërtimi. Nivelet e rrezatimit ende shkaktojnë paralajmërime për rrezik, tre dekada pas shpërthimit.

Rreth 7,000 punëtorë ende janë duke punuar për çmontimin e reaktorit.

Personeli është i madh në mënyrë që punëtorët të jenë sa më pak të ekspozuar ndaj rrezatimit.

XS
SM
MD
LG