Lidhje

Protesta në Ukrainë në mbrojtje të gazetares Chernovil


Qindra demonstrues u mblodhën përsëri sot jashtë Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, një ditë pas rrahjes brutale të një gazetareje të njohur.

Demonstruesit kërkuan dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Vitali Zakharchenko. Sulmi ndaj gazetares Tetyana Chernovil ndodhi vetëm pak orë pasi ajo botoi një artikull që lidhej me zotin Zakharchenko.

Disa demonstrues mbanin fotografi të zonjës Chernovil, e cila ka qenë edhe një nga udhëheqëset e demonstratave masive, të cilat kanë tronditur kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, për më shumë se një muaj, që kur Presidenti Viktor Janukoviç vendosi të pezullojë një marrëveshje me Bashkimin Evropian në favor të forcimit të lidhjeve me Rusinë.

Incidenti me gazetaren 34-vjeçare ishte në vazhdën e disa sulmeve të ngjashme ndaj aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës gjatë javëve të protestave.
XS
SM
MD
LG