Lidhje

Fillojnë hetimet për policinë e Çikagos


Departamenti amerikan i Drejtësisë ka filluar hetimet për praktikat e policisë në Illinois, të Çikagos, për të përcaktuar nëse ka shkelur ligjet federale gjatë përdorimit të forcës. Muajin e kaluar u qarkullua një video ku tregohet vrasja me armë e një 17-vjeçari nga një punonjës policie në muajin tetor 2014.

Qindra njerëz dolën në rrugët e Çikagos pas qarkullimit të videos muajin e kaluar. Në video tregohet një polic i bardhë që qëllon me armë një të ri zezak. Polici është akuzuar për vrasje të gradës së parë. Laquan McDonald vdiq pasi u qëllua 16 herë.

Dje, Departamenti i Drejtësisë filloi një hetim të praktikave të departamentit të policisë.

“Do të ekzaminojmë një sërë aspektesh të përdorimit të forcës nga policia e Çikagos, dallimet raciale dhe etnike, si dhe mekanizmin e saj të llogaridhënies.”

Po dje, prokurorja e Çikagos, Anita Alvarez, qarkulloi një video të një ngjarjeje të dytë, për të cilën nuk do të ngrihen akuza për policin e përfshirë. Zonja Alvarez tha se i dyshuari Ronald Johnson kishte refuzuar të dorëzonte armën.

“Zoti Johnson i rezistoi arrestimit, vrapoi përmes një parku publik dhe drejt një makine policie.”

Ish zëvendësprokurorja e përgjithshme, Lenese Herbert, thotë se hetimi nuk do të kufizohet vetëm tek një incident.

“Mund të përbëjë lajmin kryesor sot, por kuptohet se duke ngritur një hetim të tillë do të trajtohen një sërë ngjarjesh të ngjashme me njëra-tjetrën.”

Nëse do të gjendet shkelje, Departamenti i Drejtësisë do të punojë së bashku me policinë dhe bashkinë për të reformuar sistemin.

“Ndriçimi i asaj çfarë ka ndodhur në departamentin e policisë është ilaçi më i mirë.”

Hetime të ngjashme janë zhvilluar pas protestave në Baltimorë dhe në Missouri, pas vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga policia.

Ekspertët thonë se komunitetet mendojnë gjithnjë e më shumë që nuk kanë shërbimin e duhur policor.

XS
SM
MD
LG