Lidhje

SHBA: Vazhdon greva e mësuesve në Çikago


Greva e mësuesve të Çikagos ka lënë 350 mijë fëmijë pa shkollë për një javë dhe kjo gjendje do të vazhdojë për të paktën dy ditë të tjera, megjithë përpjekjet për një marrëveshje që do t’i jepte fund grevës.

Udhëheqësit e sindikatave, që përfaqësojnë mbi 20 mijë mësues të shkollave, thonë se anëtarëve të tyre u duhet më tepër kohë që ta studjojnë marrëveshjen. Sindikatat do të takohen nesër përsëri, për të zhvilluar ndoshta një votim për marrëveshjen, që do të thotë se nxënësit nuk do të kthehen nëpër klasa para së mërkurës.

Kryetari i Bashkisë së Çikagos Rahm Emanuel mbrëmë bëri një deklarataë, ku kritikonte me zemërim sindikatën e mësuesve dhe i urdhëroi prokurorët e qytetit të nxjerrin një vendim gjykate për t’i dhënë fund grevës. Mësuesit e Çikagos e lanë punën të hënën e kaluar, për shkak të disa mosmarrëveshjeve mbi një sërë çështjesh, përfshirë planet për zgjatjen e orarit dhe mënyrën e vlerësimit të punës.

Shumë nga mësuesit e Çikagos dhe nga qytete të tjera të mëdha amerikane e kundërshtojnë vlerësimin e nxënësve bazuar mbi provimet e standartizuara, duke argumentuar se shumë fëmijë vijnë nga familje të varfëra dhe për këtë arsye, provimi për ta mund të mos jetë një vlerësim i drejtë.
XS
SM
MD
LG