Lidhje

Protesta në Kili kundër një filmi për Pinoçetin


Policia tha se 64 vetë u arrestuan dhe 22 u plagosën në këtë incident

Policia kundër trazirave në Santiago të Kilit përdori gaz lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë një protestë kundër shfaqjes së një filmi të ri për nder të ish diktatorit të djathtë kilian, Augusto Pinoçet.

Disa nga demonstruesit mbanin në duar parrulla, në të cilat shkruhej se Pinoçeti ishte vrasës, ndërsa u përpoqën të hynin në kinema për të konfrontuar mbështetësit e Pinoçetit. Policia tha se 64 vetë u arrestuan dhe 22 u plagosën në këtë incident.

Filmi me titull “Pinoçet” tregon ngritjen e tij në pushtet. Nipi i tij, Augusto Pinoçet Molina, foli me rastin e shfaqjes së filmit.

Pinoçetti mori pushtetin nëpërmjet një grushti shteti të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1973, që përmbysi presidentin socialist të zgjedhur në formë demokratike, Salvador Ajende.

Mijëra kundërshtarë politikë u vranë, ose u zhdukën gjatë sundimin 17 vjeçar të Pinoçetit. Mijëra të tjerë u burgosën, ose u torturuan.

Përkrahësit e Pinoçetit i njohin atij meritën për krijimin e një ekonomie të zhvilluar në Kili dhe për parandalimin e komunizmit në vend. Pinoçetti vdiq në vitin 2006.
XS
SM
MD
LG