Lidhje

Cilësia e ajrit pas shpërthimeve në Kinë


Zyrtarë mjedisorë thanë se niveli i depozitave të cianurit të matura pas reshjeve ka rezultuar nën parametrat standarde. Qeveria ka konfirmuar se në magazinën që shpërtheu duke vrarë të paktën 114 veta, kishte rreth 700 tonë cianur sodiumi, një element kimik vdekjeprurës.

Stacionet e monitorimit detektuan nivele cianuri disa herë më të larta se e lejuara, në ujin e zonës me shtrirje prej dy kilometrash, nga ku janë evakuar 6300 persona. Reshjet e mëngjesit të sotshëm ngjallën frikën se do të përhapej gaz toksik.

Kreu i grupit të ekspertëve mjedisorë të qytetit informoi se nuk ka rrezik.

“Sipas të dhënave të pasdites, depozitat e cianurit u zbuluan nga 18 stacione monitoruese. Leximi më i lartë që u bë, është tre herë më pak se sa niveli i lejueshëm. Shpresoj të jetë e qartë për të gjithë.”

Drejtori i qendrës monitoruese gjithashtu u mundua të qetësojë mediat.

“Nuk kemi bërë teste shkencore, por duke qenë se nuk ka fluska të krijuara në tokë pas shiut, atëherë mund të themi se nuk ka nivel të lartë elementësh toksikë.”

Mediat shtetërore kanë informuar se kompania që kishte magazinën ishte liçensuar për depozitim kimikatesh të rrezikshme vetëm dy muaj para shpërthimit. Protestuesit kanë kërkuar kompensim ndërkohë që mbahej zi për viktimat.

Hetuesit nuk kanë përcaktuar shkakun e shpërthimeve, të cilat kanë rritur shqetësimin e publikut për rregullat e sigurisë në punë. Gjatë viteve të fundit, Kina është përfshirë nga aksidente në miniera dhe zjarre në fabrika, dhe presidenti kinez ka premtuar se do të ketë ndëshkime të ashpra.

XS
SM
MD
LG