Lidhje

Kinë: Të sapodiplomuarit dhe sfida e punësimit

  • William Ide

Të diplomuarit e këtij viti kapin shifrën rekord 7 milionë dhe ekonomia në vend po ngadalësohet

Këtë verë të diplomuarit që do të kërkojnë punë në Kinë, po arrijnë një numër rekord. 7 milionë përfundojnë studimet këtë vit dhe do të përqëndrojnë vëmendjen tek karriera. Korrespondenti i Zërit të Amerikës njofton se duke pasur parasysh ngadalësimin e ekonomisë në vend, perspektiva për të diplomuarit e rinj mund të mos jetë aq e mirë.

Në një hotel pranë disa prej shkollave më prestigjioze të Pekinit, dhjetra vetë që duan të gjejnë punë, rrinë në radhë për të folur me rekrutuesit për shanse në firma programesh kompjuterike, teknologjie dhe inxhinierie.

Një prej tyre është 22 vjecarja An Tingting, e sapodiplomuar, nga provinca Henan. Ajo kla ardhur në Pekin para dy muajsh për të bërë një kurs trajnimi në informatikë.

“Kam kërkuar punë gjatë dy javëve të fundit, por është e vështirë. Një nga vështirësitë është se diploma ime është nga një shkollë profesionale”.

Faktit që 7 milionë të diplomuar duan që të hyjnë në tregun e punës këtë vit, i shtohet edhe ai që 200 mijë prej të diplomuarve të vitit të kaluar, ende janë pa punë.
Hu Xingdou është ekonomist në Institutin e Teknologjisë në Pekin.

“Vetëm 30 për qind e të diplomuarve nënshkruajnë kontratë dhe punësohen menjëherë. Shumë të tjerëve u duhet të vazhdojnë të kërkojnë punë ose të mbeten pa punë”.

Dhe nuk është vetëm numri i të diplomuarve që krijon vështirësi. Pas një dekade më rritje mbi 10 për qind, ekonomia kineze po ngadalësohet. Udhëheqësit kinezë e pranojnë se po hasin vështirësi që ta ruajnë nivelin e rritjes rreth 7 për qind.

Por, Hu Xingdou thotë se problem më i madh është se struktura e industrisë së Kinës është e paqëndrueshme dhe se ka pabarazi të thella mes rajoneve.

“Ka shumë vende ku ka nevojë për të diplomuarit e Kinës, por të paktë janë ata që duan të shkojnë në këto zona. Firmat private kanë nevojë për të diplomuarit, por shumë prej tyre parapëlqejnë të punojnë në firma shtetërore, institucione publike dhe kompani të huaja”.

Në panairin e punës, Xie Zhiyong thotë se është i gatshëm për një vend pune por po kërkon për një tjetër sepse nuk i pëlqen ambjenti tek puna që ka aktualisht. Ai thotë se nëse ke përvojë, është e lehtë të gjesh një vend pune.
Xie ka studiuar bio-teknologji dhe është diplomuar dy vjet më parë nga një universitet në provincën juglindore Jiangxi.

“Në Pekin, ka më shumë kompani, më shumë kandidatë të talentuar dhe më shumë shanse. Megjithatë pasi të përmirësoj aftësitë e mia, do të kthehem në Jiangxi për të përparuar në karrierë”.

Së fundmi, kryeministri kinez Li Keqiang u bëri thirrje kompanive që t’u japing më shumë mundësi të sapodiplomuarve. Kompanitë reaguan duke thënë se do të rrisin numrin e të punësuarve mes të sapodiplomuarve.

Analistët thonë se qeveria mund të shkojë edhe më tej duke ofruar ulje taksash dhe financime për të ndihmuar në vendosjen e një balance me kompanitë shtetërore. Ata shtojnë se qeveria mund t’i inkurajojë të sapodiplomuarit që të punojnë në qyetete më të vogla duke i subvencionuar ose duke marrë masa të tjera inkurajuese.
XS
SM
MD
LG