Lidhje

E ardhmja e reformave në Kinë

  • William Ide

Partia Komuniste e Kinës bëri thirrje për një rol më të gjerë të tregut të lirë në ekonominë shtetërore të vendit, në përfundim të një takimi të lartë katërditor të partisë në Pekin. Agjencia e lajmeve Xinhua tha se në të kaluarën partia e ka përshkruar rolin e tregut si të rëndësishëm, por tani po e cilëson si vendimtar. Kina ndodhet aktualisht në një udhëkryq të rëndësishëm, me një ekonomi të ngadalësuar dhe përballë thirrjeve në rritje për reforma sociale dhe ekonomike.

Në tre dekadat e fundit, në sajë të rritjes ekonomike, Kina ka nxjerrë miliona njerëz nga varfëria, dhe është bërë një fuqi botërore, që ze vendin e dytë pas Shteteve të Bashkuara. Por tani, me ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe shumëfishimin e problemeve sociale, ka një konsensus në rritje, se modeli ekonomik i Kinës, i sukseshëm për një kohë të gjatë, tani duhet ndryshuar.

Analistët thonë se Kina realizoi rritje të rëndësishme ekonomike duke u mbështetur së tepërmi tek krahu i lirë i punës, eksportet dhe burimet natyrore të lira, si qymyri. Tani, kjo strategji po studjohet me kujdes, në kushtet kur pagat po rriten, ekonomia botërore vazhdon të përjetojë ngecje dhe po shtohet shqetësimi i publikut kinez lidhur me ndotjen e mjedisit.

Yang Jisheng është një gazetar i njohur kinez.

“Modeli i vjetër nuk funskionon më dhe nevojitet një model i ri zhvillimi. Por ka më tepër se një dekadë që flitet për nevojën e një modeli të ri dhe reformat e reja kanë qenë të pamundura në sistemin aktual. Pra, tani kemi nevojë për më tepër reforma."

Nga e shtuna, deri të martën e ardhshme, udhëheqësit kinezë zhvilluan bisedime, në atë që quhet Pleniumi i Tretë, që është takimi i tretë në ciklin 5-vjeçar të zgjedhjeve partiake.

David Kelly i organizatës "China Policy" në Pekin thotë se në takim pritej të diskutohej edhe skandali politik i ish udhëheqësit të Partisë Komuniste, Bo Xilai.

Bo u dënua me burgim të përjetshëm pas akuzave për korrupsion, marrje rryshfeti dhe abuzim me pushtetin.

Zoti Kelly thotë se niveli i korrupsionit në nivelet më të larta të Partisë Komuniste që zbuloi skandali, është një tjetër arsye përse Pleniumi ishte i rëndësishëm.

“Çështja tjetër është kriza financiare botërore, që ka ndikuar drejtpëdrejt në ngadalësimin e rritjes ekonomike të Kinës. Kjo gjendje për të cilën më parë flitej, tani është shumë reale."

Thuajse se çdo ditë udhëheqësit kinezë e kanë përmendur pleniumin e ri, duke thënë se ishin të gatshëm për reformat që do të përcaktoheshin në këtë takim të rëndësishëm.

Economisti njohur Mao Yushi është dakord me idenë e reformave politike, por ka dyshime për ndryshimet që ato do të sjellin.

Presidenti kinez Xi ka shkurtuar shpenzimet e mëdha për banketet qeveritare dhe ka marrë masa të forta kundër korrupsionit.

Ekonomisti Mao Yushi thotë se këto masa janë mirëpritur nga udhëheqja e re.

Por fushata e nisur, argumenton ai, duhet të vazhdojë.

“Rrënjët e këtij problemi, - thotë ai, - gjenden tek aftësia e publikut për të mbikqyrur partinë politike, veprimtarinë e saj. Kohët e fundit qevria ka forcuar kontrollin e fjalës së lirë, si dhe mbikqyrjen e njerëzve".

Zoti Mao thotë se në se kontrolle të tilla vazhdojnë, do të jetë e vështirë të shihet në se reformat e reja do të sjellin ndonjë përparim.
XS
SM
MD
LG