Lidhje

SHBA përballë tensioneve mes Kinës dhe Japonisë

  • Scott Stearns

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Japonisë po acarohen për shkak të ishujve në detin e Kinës Lindore, mbi të cilat kanë pretendime të dyja palët. Kjo mosmarrëveshje detare mund të ketë pasoja për programin e Presidentit Barack Obama për Azinë në mandatin e tij të dytë.

Kohët e fundit, Japonia ka akuzuar se anijet dhe avionët e saj në rajon, janë vënë në shënjestër nga radarë kinezë.

Kryeministri japonez Shinzo Abe e quajti incidentin të rrezikshëm, duke lënë të kuptohet se mund të sillte si rezultat një konflikt të armatosur nëse Kina e bënte përsëri një gjë të tillë.

“Në një kohë kur po dukej se kishte shenja përmirësimi drejt bisedimeve mes Japonisë dhe Kinës, ky veprim i njëanshëm provokues i ndërmarrë nga kinezët është për të ardhur keq”.

Pekini thotë se Japonia po intensifikon tensionet duke dërguar anije dhe avionë në zona mbi të cilat ka pretendime Kina. Ja c’thotë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying.

“Japonia po përhap me qëllim, informacion të rremë, duke dëmtuar imazhin e Kinës, duke krijuar tensione dhe duke keqinformuar opinionin ndërkombëtar. Ne s’kemi zgjidhje tjetër veçse të jemi vigjilentë për qëllimet e vërteta të Japonisë”.

Analisti i Institutit Cato Justin Logan thotë se është një kohë e rrezikshme.

“Është alarmuese që të dëgjosh tonin e tensionuar mes kinezëve dhe japonezëve, sikur janë të gatshëm të hyjnë në luftë për diçka që krahasuar me koston e një lufte të vërtetë, janë gurë pa vlerë”.

Zoti Logan thotë se mosmarrëveshja po ushqehet nga nacionalizmi i të dyja palëve.

“Nuk bëhet fjalë për një mosmarrëveshje realiste për harta dhe vija detare, por për bindje historike të rrënjosura me kohë”.

Administrata e Presidentit Obama po përpiqet të ruajë status-quonë pa mbajtur anë.
Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se kjo është pjesë e sfidave të ndërlikuara me të cilat përballet Presidenti Obama në mandatin e dytë në zonën e Azi-Paqësorit.

“Kina është një proces në vazhdim. Dhe duhet angazhim e vendosmëri për të zgjidhur çështjet që ne kemi me Kinën”.

Ruth Wedgwood, në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins thotë se ambicjet e Kinës në detin e Kinës Lindore dhe në detin e Kinës Jugore, i afrojnë fqinjët më të vegjël me Shtetet e Bashkuara.

“Kina është qoftë edhe nga madhësia dhe vendndodhja, një fqinjë i rëndësishëm për çdo vend në rajon. Kështuqë ne mund të argumentojmë se kjo rrugë është joproduktive, se po i shtyjnë vendet e tjera drejt nesh”.

Zyrtarët amerikanë thonë se drejtimi i radarëve kinezë nga anijet japoneze e rrit rrezikun e një lëvizjeje të rrezikshme që mund të minojë marrëdhëniet dhe rritjen ekonomike në Azi-Paqësor.
XS
SM
MD
LG