Lidhje

Kina zbut tonet ndaj SHBA-së


Kina zbuti sot retorikën ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me anijen luftarake amerikane në një zonë detare pranë ishujve të Detit Jugor Kinez, sovraniteti i së cilës pretendohet nga Pekini. Uashingtoni ka premtuar se do të vazhdojë të zhvillojë misione të tjera të ngjashme patrullimi në këtë zonë.

Në dallim nga disa reagime të ashpra që u bënë dje, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze sot vuri në dukje se Kina gjithnjë i ka zgjidhur çështjet nëpërmjet dialogut:

“Kina ka përdorur gjithnjë tryezat e bisedimeve, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara, por edhe me të gjitha vendet. Udhëheqësit nga të dyja vendet kanë arritur konsensus të rëndësishëm në Uashington për të zgjidhur disa çështje nëpërmjet dialogut dhe konsensusit. Çështja në fjalë nuk varet vetëm nga Kina, shpresojmë që edhe SHBA-ja të kontribuojë për zgjidhjen.”

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës thirri Ambasadorin amerikan Max Baucus për t’i dorëzuar një notë proteste. Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë në Uashington se lundrimi pranë shkëmbinjve nënujorë Subi ishte një ushtrim i të drejtës së navigimit detar dhe se nuk është e lidhur me aspekte të sovranitetit mbi këto ujëra, të cilat gjithashtu pretendohen edhe nga Vietnami dhe Filipinet.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se Marina e SHBA-së do të kryejë patrullime të tjera në këtë zonë.

Vendet aleate të Shteteve të Bashkuara mirëpritën edhe kalimin e anijes amerikane pranë ishujve Spratly, megjithëse me tone më të kujdesshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG