Lidhje

Imigrantët ikin nga Chinatown


Aziatikët janë grupi pakicë me rritjen më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara dhe amerikanët me prejardhje kineze kanë banuar në këtë vend që prej mesit të shekullit të 19-të. Çdo qytet i madh amerikan ka një lagje të quajtur ‘Chinatown’, por shumë kinezo-amerikanë janë asimiluar dhe nuk banojnë më në këto lagje, por vendosen në rethinat e qytetit. Elizabeth Lee e Zërit të Amerikës njofton nga Los Angeles, ku ndodhet një prej lagjeve më të mëdha në Shtetet e Bashkuara me shumicë kineze, se si ‘Chinatown’ ka evoluar bashkë me imigrantët kinezë.

Nga San Francisco në New York, vizitorët vërshojnë në lagjet ‘Chinatown’ për ushqime dhe suvenirë. Por këto lagje në qytetet e mëdha amerikane janë tani kryesisht pika turistike, thotë drejtori i Muzeut kinezo-amerikan në Los Angeles, Steve Wong.

“Në këtë lagje mund të gjesh dyqane dhuratash dhe kuzhinë kineze, që i është përshtatur shijes së amerikanëve. Nuk mund ta quash ushqim kinez, madje unë mendoj se është ushqim shumë amerikan”.

Por në një moment ‘Chinatown’ ishte e vetmja zonë ku immigrantët kinezë mund të banonin. Imigrantët e parë kinezë mbërritën në Shtetet e Bashkuara nga Kina jugore nga mesi i viteve 1800 si punëtorë dhe në kërkim të arit.

Në vitin 1882, Shtetet e Bashkuara ndaluan imigracionin kinez dhe armiqësitë ndaj kinezëve çuan në krijimin e lagjeve ‘Chinatowns’.

“Duke mos qënë në gjendje të sillnin gratë dhe familjet, kinezët nuk mund të zhvillonin komunitetet e tyre, prandaj atyre iu desh të tërhiqnin popullatën jo-kineze dhe të krijonin një ekonomi të bazuar te turizmi”.

73 vjeçari Fred Wong jetoi dhe punoi në ‘Chinatown’ të Los Angeles-it për 15 vjet. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara kur ishte 10 vjeç, pasi ndalimi i imigracionit kishte marrë fund, por jo me prindërit e tij.

“Ne ishim 6 fëmijë dhe prindërit e mi bënin një jetë shumë të vështirë, prandaj ata shitën njërin prej djemve dhe më pas më shitën edhe mua”.

Zoti Wong thotë se në ‘Chinatown’ të LA-it banojnë kryesisht kinezë të moshuar, pasi shumica e imigrantëve kinezë banojnë në lagje periferike. Gjatë 3 dekadave të fundit, imigrantët kinezë nga Taivani dhe Kina erdhën këtu si studentë dhe qëndruan në Shtetet e Bashkuara, thotë profesori i Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles, Min Zhou.

“Ata duan të blejnë ose marrin me qera shtëpi dhe jo apartamente. Ata duan të banojnë në distrikte me shkolla të mira, prandaj lagjet ‘Chinatown’ nuk janë tërheqëse për ta”.

Guo Wen Huang nga Xian e Kinës është pronar restoranti në një lagje kineze në Los Angeles. Si shumë imigrantë të tjerë në këtë zonë, ai bleu këtë shtëpi me garazh për dy makina.

“Në Kinë qiellgërvishëset janë kudo, as edhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë aq shumë qiellgërvishëse. Kina ka edhe më shumë shtëpi si vila”.

Ndërsa shumë imigrantë kinezë kanë qenë të sukseshëm në Shtetet e Bashkuara, Steve Wong thotë se deri në 750 mijë imigrantë kinezë pa dokumneta jetojnë në këtë vend. Ata po presin të shikojnë nëse ligjvënësit do të reformojnë ligjet e imigracionit. Min Zhou thotë se problemi me imigracionin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë sepse imigrantët do të vazhdojnë të kërkojnë një jetë më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG