Lidhje

Emigrantët kinezë dhe meksikanë në SHBA


Në shtetin e Kalifornisë jetojnë më shumë emigrantë se kudo tjetër në Shtetet e Bashkuara. Ndër grupet më të mëdha të emigrantëve - qoftë të ligjshëm apo pa dokumente - janë meksikanët dhe kinezët. Këto grupe etnike vijnë nga dy vende të ndryshme, por ato kanë shumë ngjashmëri.

Njerëzit shpesh e shohin 21-vjeçarin Jonathan Wong si një mister.

"Ata më pyesin: Je filipinez? Je meksikan? A je prej ishujve të Paqësorit? Je Hauaian?"

Jonathan Wong në fakt kinezo-amerikano i brezit të katërt dhe meksikano-amerikan i brezit të tretë. Ai thotë se ka diçka që të dy kulturat e vlerësojnë thellësisht.

"Lidhja që ke në përgjithësi me familjen. Të dyja kulturat janë shumë të orientuara drejt familjes," thotë ai.

Ashtu si shumë emigrantë, paraardhësit meksikanë dhe kinezë të Jonathan-it erdhën në SHBA për një jetë më të mirë, thotë Shelley Fisher Fishkin e Universitetit Stanford:

"Kinezët që erdhën në Shtetet e Bashkuara në mes të shekullit të 19-të dhe më pas meksikanët që erdhën në fund të shekullit të 19-të apo në fillim të shekullit të 20-të u joshën nga mundësitë që mund të krijonin për familjet e tyre, të cilat nuk ishin të mundura në vendet nga erdhën."

Këta emigrantë të rinj shpesh u përballën me diskriminim dhe punuan si punëtorë, qoftë me punë të ngjashme me emigrantët meksikanë të sotëm apo si punonjës kinezë hekurudhe të shekullit të 19-të.

Në një ekspozitë arti që përqëndrohet tek përvojat e këtyre dy grupeve, një vepër e artistes Hung Liu tregon emigrantë të hershëm kinezë të cilët kishin ardhur për të gërmuar për ar ose për të punuar në hekurudha.

"Arsyeja kryesore që kinezët e parë erdhën këtu është që të shpëtonin prej rrënimit ekonomik në Kinë."

Steven Wong, kurator i Muzeut Kinezo-Amerikan, thotë se imigrantët nga të dy vendet ende vazhdojnë të vijnë me çdo kusht.

"Mendoj se jo shumë njerëz e kuptojnë se ka ende shumë punëtorë të pakualifikuar që vijnë nga të dy komunitetet dhe jo shumë vetë e dinë që kur është fjala për çështje të imigracionit dhe të reformës së emigracionit, nuk kemi të bëjmë vetëm me amerikano-latinët, por kjo është gjithashtu një çështje e rëndësishme për aziatikët, për emigrantët e shumtë pa dokumente që vijnë prej andej, kryesisht kinezë."

Shpesh, dy grupet jetojnë në komunitete etnike.
Artisti Tony de los Reyes, pikturat e të cilit fokusohen tek kufijtë, e ka përjetuar këtë gjatë jetës së tij në Los Anxhelos.

"Kufiri me Meksikën tani shtrihet dhe në disa zona të Los Anxhelosit edhe pse kufiri i vërtetë shtetëror mund të jetë 200 kilometra më në jug."

Pjesa lindore e Los Anxhelosit, e banuar kryesisht nga meksikanët, është një nga këto zona. Fqinje me të është Monterey Park, një periferi e banuar kryesisht nga kinezët. Edhe pse këto grupe imigrantësh mund të gjenden pranë njëri-tjetrit, zoti De Los Reyes thotë se ato zakonisht nuk përzihen.

"Ekziston një tërheqje dhe shtytje, pasi mund të mos dëshirosh të jetosh në një vend prej kulturës ndryshe, por më pas tërhiqesh prej tij."

Jonathan Wong thotë se kufijtë mes grupeve janë të zbehtë. Kjo është arsyeja pse ai nuk është i befasuar që prindërit e tij u martuan.

"Shiko deri ku arrin ndërthurja. Historia e prindërve të mi nuk ngjall as çudi… edhe pse dikush mund të pyesë se si patën mundësi të takoheshin e të pëlqenin njëri-tjetrin."

Ai pret që të ketë një ndërhurje edhe më të madhe mes dy kulturave në të gjithë vendin, ndërsa emigrantët dhe pasardhësit e tyre vazhdojnë të ndjekin ëndrrën amerikane.
XS
SM
MD
LG