Lidhje

Gjendje e vështirë e fëmijëve në Shqipëri


Gjendja e vështirë ku jetojnë dhe mësojnë aktualisht fëmijët në Shqipëri pasqyrohet në të dhënat e fundit që sapo kanë publikuar organizata “Save the Children” dhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Shpenzimet publike ne arsim përbëjnë 2,8% të PBB-së, më i ulët se në të gjitha vendet e rajonit, të cilat japin dyfishin.

Drejtorja e “Save the Children” Anila Meço thotë se mesatarja e viteve të shkollimit për fëmijët në Shqipëri është vetëm 10.8 vite shkollimi formal dhe kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 119 nga 178 vende në botë. Ndërkaq, përqindja e fëmijëve që nuk janë regjistruar asnjëherë në shkollë është rreth 5%. Fëmijët rom janë më të privuarit për të ushtruar të drejtën e tyre për arsim, pastaj vijnë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe në fund janë fëmijët e varfër të zonave rurale.

Arsimi i mbron fëmijët nga puna, abuzimi dhe dhuna. Studimi i parë kombëtar mbi punën e fëmijëve vlerësoi se janë të punësuar rreth 8% e fëmijëve 5-17 vjeç. Qendra për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Linja 1611 publikuan të dhënat vjetore me disa mijëra denoncime të dhunës nga vetë fëmijët. Grupet kryesore janë dhuna fizike, dhuna emocionale, dhuna seksuale dhe neglizhenca.

Përfaqësuesja e CRCA-së dhe Linjës 1611, Rezarta Gjalpi, thotë se fëmijët shqiptarë dhunohen fizikisht dhe emocionalisht, por po aq i godet edhe nënvlerësimi. Ajo tha se kërkesat kryesore mbeten një kujdes më afatgjatë ndaj fëmijëve, sepse policia kudeset për disa orë apo ditë, por më pas nevojiten struktura që t'i mbrojnë nga dhuna dhe t'i perfshijnë në jetën e zakonshme.

Duke marrë shkas nga fakti që dy Nobelistët e Paqes u shpallën këtë vit një fëmijë dhe një arsimtar për përpjekjet e tyre kundër shtypjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe të drejtën e të gjithë fëmijëve për arsim, organizata “Save the children”, edhe në Shiqpëri, si kudo në botë i bëri thirrje qeverisë t'i kushtojë më shumë kujdes shkollimit të fëmijëve.

Fëmijët konsiderohen nga organizatat joqeveritare si shtresa që u shkelen më shumë të drejta në shoqërinë shqiptare. Diskriminimi i fëmijëve dhe dhuna ndaj tyre është një fushë e gjerë, që meriton kujdes dhe fonde sociale të vazhdueshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG