Lidhje

Të krishterët kremtojnë Krishtlindjen


Papa Françesku dha bekimin e tij të dytë vjetor të Krishtlindjeve për mijëra njerëzit e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Romë, gjatë të cilit ai dënoi persekutimin ”brutal” të pakicave nga grupi Shteti Islamik, që ka marrë në kontroll rajone të mëdha të Sirisë dhe të Irakut.

Krishtlindja është një nga festat më të shenjta për të krishterët, të cilët sot kremtojnë lindjen e Jezu Krishtit.

Papa foli për konfliktet dhe krizat kryesore që ka sot bota, duke bërë thirrje për paqe në vende si Ukraina, Nigeria dhe Republika e Afrikës Qendrore. Ai dënoi sulmin e javës së kaluar të talebanëve kundër nxënësve të një shkolle në Pakistan.

Papa po ashtu ofroi bekimin e tij për viktimat e Ebolës, veçanërisht për popullin e Liberisë, Sierra Leones dhe të Guinesë, si dhe për ata që kujdesen për të sëmurët.

Në Bregun Perëndimor, në qytetin e Bethlehemit, sot të krishterët u mblodhën në vendin ku mendohet se ka lindur Jezu Krishti, që sot njihet si Kisha e Lindjes.

Patriarku latin i Jeruzalemit, Arkipeshkvi Fouad Twal, drejtoi lutjet në praninë e qindra njerëzve.

XS
SM
MD
LG