Lidhje

Vdes papritur në Nju Jork ambasadori rus në OKB


Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara Vitaly Churkin u nda papritur nga jeta.

Ministria e Jashtme ruse tha përmes një deklarate se Churkin vdiq papritur të hënën në Nju Jork, një ditë para se mbushte 65 vjeç.

Ministria i shprehte “ngushëllimet më të thella” familjes dhe miqve të zotit Churkin, duke e cilësuar atë “një diplomat të jashtëzakonshëm”.

Një operator i qendrës mjekësore "Presbyterian/Weill Cornell" konfirmoi se zoti Churkin ishte çuar në urgjencën e tyre.

Kolegë të tij diplomatë në Kombet e Bashkuara, komentuan menjëherë në mediat sociale, duke shprehur shqetësimin dhe dëshpërimin për vdekjen e tij të menjëhershme.

Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley e cilësoi si “një mik të këndshëm”. “Jo gjithmonë ne i shikonim çështjet njëlloj, por pa dyshim që ai mbështeste qëndrimet e vendit të tij me shumë aftësi. Ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjarëve dhe popullit rus”, thonte ajo në një deklaratë.

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Peter Thomson, tha përmes një deklarate se “Federata ruse dhe Kombet e Bashkuara kanë humbur një njeri që e konsideronin si birin e tyre të vërtetë dhe një person me intelekt të spikatur në arenën ndërkombëtare.”

Diplomati veteran e filloi karrierën diplomatike në vitet e 1970. Ai ishte përkthyesi rus gjatë negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë lidhur me Traktatin Strategjik II për Kufizimin e Armëve në vitin 1974.

Traktati, i cili njihet gjithashtu me emrin SALT-II, u nënshkrua në vitin 1979. Ai ishte i dërguari i posaçëm i qeverisë ruse në bisedimet për ish-Jugosllavinë në fillim të viteve ’90. Në vitet 1994-1998 ai ishte ambasador i Rusisë në Belgjikë dhe në vitet 1998-2003 ambasador i Rusisë në Kanada.

Vitaly Churkin ishte ambasador i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga viti 2006, kur Sekretar i Përgjithshëm ishte Kofi Annan. Ai ishte një njeri i respektuar në mesin e diplomatëve të OKB-së, edhe nga ata të qeverive në marrëdhënie jo të mira me Moskën.

Në 6 vitet e fundit puna e tij u vështirësua së tepërmi, ndërsa Moska mbeti më e izoluar për shkak të aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes për regjimin e Bashar al-Assadit në Siri.

Ai pati shpesh përplasje për këto çështje në Këshillin e Sigurimit me ish-ambasadoren amerikane Samantha Power.

Churkin njihej si një negociator i aftë dhe një diplomat i nivelit të lartë. Shumë besonin se ai do t’i zinte vendin Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, në se ky i fundit dilte në pension.

Vitaly Churkin ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë të rritur.

XS
SM
MD
LG