Lidhje

CIA shpreh shqetësimin për rrjedhjen e dokumentave


Agjencia e zbulimit, CIA shprehu hapur shqetësimet për publikimin e dokumenteve nga organizata WikiLeaks, duke paralajmëruar se të gjithë amerikanët duhet të jenë “thellësisht të shqetësuar” për pasojat e mundshme.

Një zëdhënës i CIA-s nuk pranoi të komentonte dje lidhur me vërtetësinë e 8 mijë e 771 dokumentave, por argumentoi se nuk ka dyshim për synimin e WikiLeaks “për të dëmtuar aftësinë e agjencive të zbulimit për të mbrojtur Amerikën nga terroristët dhe armiq të tjerë”.

Në konferencën e përditshme për shtyp dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se gjithkush duhet të jetë i shqetësuar për këtë shkelje:

"Dalja e këtyre dokumenteve duhet t’i shqetësojë shumë njerëzit dhe ideja që ka kaq shumë rrjedhje informacioni për sigurinë kombëtare dhe secret, duhet të indinjojë gjithkënd. Këto rrjedhje minojnë vendin tonë, sigurinë dhe mirëqenien tonë”.

Ashtu si CIA, zoti Spicer refuzoi të konfirmonte vërtetësinë e dokumentave të WikiLeaks. Por disa ekspertë të sigurisë kibernetike dhe ish-zyrtarë të zbulimit që I kanë analizyar ato, i thanë Zërit të Amerikës se duket që ato të jenë të vërteta.

Profesori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Jonathan Aronson i Universitit të Kalifornisë së Jugut thotë se dokumentat thjesht tregojnë se CIA ka bërë punën e vet:

"Mendoj se CIA thjesht ka bërë punën e vet. Qeveria amerikane i jep CIA-s miliarda dollarë në vit dhe pjesë e punës së tyre është përgjimi, jo i amerikanëve por i gjithë të tjerëve. Prandaj mendoj se është fare e arsyeshme që të kenë këto lloj instrumentash, përsa kohë që ato të përdoren në përputhje me ligjin, jo kundër qytetarëve amerikanë, prandaj pse duhet të befasohemi?”

WikiLeaks tha se i kishte siguruar dokumentat nga një ish-haker që punonte për qeverinë amerikane. Dhe një zyrtar i zbulimit amerikan i tha Zërit të Amerikës, pa dashur të identifikohej, se duket që burimi të ketë qenë një kontraktor i CIA-s.

Por më shqetësuese për zyrtarë aktualë dhe të kaluar amerikanë dhe perëndimorë, është mundësia e përfshirjes ruse.

Një raport i agjencive të zbulimit në janar, arrinte një përfundim “shumë bindës” se zbulimi rus kishte një marrëdhënie të vazhdueshme me WikiLeaks.

REAGIMI I DIPLOMATËVE TË HUAJ

Mes diplomatëve të huaj kanë filluar të shtohen shqetësimet rreth publikimeve të fundit nga WikiLeaks të dokumenteve që supozohet se tregojnë detaje të mjeteve të sofistikuara të hakerimit të përdorura nga agjentët e zbulimit amerikan.

I pyetur sot rreth dokumenteve, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se ai gjithmonë është përpjekur të mos e marrë telefonin celular me vete në takime sensitive për të shmangur përgjimet ndaj tij.

“Të paktën ia kam arritur të mos jem në një situatë të vështirë”, tha zoti Lavrov.

Lavrov iu referua akuzave të parashtruara në dokumentat e WikiLeaks se Agjencia Qendrore e Zbulimit ka mjete për të hakeruar telefonat inteligjentë dhe disa tipe televizorësh duke lejuar agjencitë të spiunojnë nga distanca përmes mikrofonëve të këtyre pajisjeve.

Lavrov tha gjithashtu se ndërsa Rusia është fajësuar për hakerimet e fundit në Shtetet e Bashkuara bazuar në shenjat dixhitale të lëna pas sulmeve, dokumentat e WikiLeaks tregojnë se CIA ka aftësinë të maskojë hakerimet e saj dhe t’i bëjë të duken si të kryera nga shtete të tjera, përfshi Rusinë.

Në një deklaratë, WikiLeaks tha se CIA “humbi kontrollin e shumicës së arsenalit të saj të hakerimit.” Grupi tha se mjetet kibernetike u shpërndanë mes disa ish hakerave të qeverisë amerikane dhe një prej tyre ia dha materialet Wikileaks.

CIA tha të mërkurën se WikiLeaks po dëmton interesat e sigurisë së Amerikës dhe po ndihmon armiqtë e vendit.

“CIA ka qasje në 'shenjat e gishtave.' Pra kur ne fajësoheshim se kishim bërë diçka, ata na paraqisnin prova, si ‘shenjat dixhitale’ të hakerave rusë. Tani po mësohet se CIA është e aftë të ketë qasje tek shenjat dixhitale dhe t’i përdorë ato”, tha zoti Lavrov.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Geng Shuang shprehu gjithashtu shqetësim rreth zbulimeve të WikiLeaks dhe tha se Kina “kundërshton të gjitha format e hakerimit.”

“I bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalin përgjimet, monitorimet, vjedhjen e sekreteve dhe hakerimet ndaj Kinës dhe vendeve të tjera. Kina do të mbrojë me vendosmëri sigurinë në internet”, tha ai.

Në fillim të javës, WikiLeaks publikoi mijëra faqe të atyre që i quajti dokumente sekrete të CIA-s që ekspozojnë “gjithë kapacitetin hakerues të agjencisë së zbulimit.”

XS
SM
MD
LG