Lidhje

CIA po studion materialet nga kompleksi i bin Ladenit


CIA po studion materialet nga kompleksi i bin Ladenit
CIA po studion materialet nga kompleksi i bin Ladenit

Kur komandot amerikane u larguan nga kompleksi ku fshihej Osama bin Laden në Pakistan, ata morën me vete materiale që pritet të japin informacione të vlefshme mbi rrjetin terrorist al-Kaida. Materiali në vazhdim tregon se ç’po bëhet me materialin e siguruar dhe se çfarë presin të nxjerrin nga këto materiale zyrtarët e zbulimit.

Ndërsa forcat speciale amerikane po ndërmerrnin hap pas hapi operacionin në kompleksin ku gjetën dhe vranë bin Ladenin dhe bashkëpunëtorët e tij, anëtarë të tjerë të ekipit mblodhën çdo gjë që mund të përmbante të dhëna të dobishme.

Xhon Brenan, këshilltar i lartë i Presidentit Barak Obama për kundërterrorizmin foli në Shtëpinë e Bardhë për atë pjesë të operacionit:

“Komandot amerikane në kompleks shfrytëzuan rastin që të sigurojnë çfarëdo materiali që mendonim se ishte i përshtatshëm dhe i nevojshëm. Tani po analizojmë gjithçka kemi arritur të sigurojmë”.

Një zyrtar i lartë i zbulimit, i cili foli me gazetarët me kusht që të mbetej anonim, tha se Agjencia Qendrore e Zbulimit apo CIA ka ngritur një ekip për të analizuar materialet me shpresë se do të zbulojë anëtarë të tjerë të al-Kaidës.

Një ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit amerikan, Marion Bouman, flet për gjërat që do të kishte kërkuar nëse do të kishte qenë pjesë e operacionit për asgjesimin e bin Ladenit.

“Do të kërkoja gjëra që mbahen në xhep. Do të shikoja për gjithçka që do të kishte mbetje të ADN-së. Do të kërkoja copa letrash që do të tregonin se si po komunikonte bin Ladeni, praktikisht informacion se me kë po komunikonte apo kush ka qenë aty, sa për të mësuar se çfarë rrjeti po drejton apo pjesë të tij”.

Zoti Bouman, ishte oficer zbulimi i Marinës amerikane dhe zyrtar i Byrosë Federale të Hetimeve para se të bëhet këshilltari numër dy i ish presidentit Bush për kundërzbulimin në vitin 2006. Ai përshkruan edhe ekipin që CIA mund të ketë angazhuar për të analizuar materialet e bin Ladenit.

“Së paku, do të ketë specialistë të mjekësisë ligjore dhe teknologjisë kompjuterike. Por me siguri do të ketë edhe ekipe për identifikimin e dëshmive, njerëz të cilët do të kërkojnë për imtësi të vlefshme”.

Zoti Bouman shton se ekipi do të ketë nevojë për përkthyes, ndoshta për disa gjuhë, dhe gjithashtu njerëz të cilët i njohin kulturat arabe, afgane e pakistaneze për të mësuar rreth veprimtarive dhe kontakteve të bin Ladenit.

Zyrtarët nuk njoftojnë me saktësi se çfarë materialesh janë siguruar, por disa media kanë njoftuar për një numër të madh kompjuterash, disqesh dhe pajisjesh të tjera për ruajtjen e shënimeve kompjuterike.

Këshilltari kundër terrorizmit, Xhon Brenan, thotë se kur është fjala për këtë lloj materiali, cilësia është më e rëndësishme sesa sasia. Zyrtarët shpresojnë të kenë siguruar informacione cilësore nga shtëpia e Osama bin Ladenit. Të martën, sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, foli rreth asaj që administrata shpreson të mësojë.

“Në radhë të parë dhe më me rëndësi, në çdo rast, është ndonjë dëshmi për sulme të planifikuara. Së dyti, do të ishte informacioni që mund të çojë në objektiva të tjera të larta e me vlerë ose rrjete të tjera që ekzistojnë por për të cilat kemi pak ose nuk kemi fare dijeni. Dhe së treti pastaj, janë informatat rreth rrjetit të al-Kaidës dhe atyre që i mundësuan bin Ladenit të qëndrojë në këtë kompleks gjatë gjithë asaj kohe”.

Zoti Karni thotë se qëllimi i presidentit Obama mbetet për të “penguar, shkatërruar dhe mposhtur” al-Kaidën. Këshilltar i presidentit kundër terrorizmit, Xhon Brenan, tha se operacioni i së hënës nuk do t’i japë fund përpjekjeve kundër al-Kaidës, por informacioni i mbledhur nga kompleksi do të jetë një pjesë e rëndësishme e vazhdimit të tij.

“Është një kohë shumë e rëndësishme për të vazhduar këtë përpjekje kundër al-Kaidës, për të shfrytëzuar këtë arritje të djeshme dhe për të vazhduar punën për t’i thyer kurrizin al-Kaidës”.

Kjo fazë e përpjekjeve, thotë zoti Brenan, do të përfshijë analiza si ato që gjatë viteve zbuluan korrierin e bin Ladenit dhe më pas çuan edhe tek vetë udhëheqësi terrorist.

“Me kalimin e kohës, ne kemi qenë në gjendje të nxjerrim informacione shtesë, të mësojmë nofkën e korrierit, t’ia gjejmë më pas edhe emrin e vërtetë, të zbulojmë edhe gjëra të tjerë me të cilat lidhej emri i tij dhe ta gjurmonim derisa arritëm në kompleksin në Abotabad”.

Ish-zyrtari i administratës së Presidentit Bush, Marion Bouman, thotë se të dhënat e mbledhura mund të shkurtojnë ecurinë e hetimit për disa operativë të al-Kaidës, por ai thotë se ka të ngjarë të fillojnë edhe hetime të reja të gjata.

“Do të dëshiroja të thoja që kjo do të shkurtonte procesin. Por, është më me vend të them se do të nisë një proces të gjetjes së njerëzve për të cilët nuk dihet saktë se kush janë apo se ku kanë jetuar”.

Zyrtarët shpresojnë se do të sigurojnë të dhëna të rendësishme që do të ndihmojnë të godisin rëndë rrjetin e al-Kaidës. Por zoti Bouman pranon se njerëzit që kanë pasur kontakte me bin Ladenit padyshim që kanë marrë arratinë dhe tani po përpiqen të fshijnë gjurmët, çfarë mund të bëjë që përpjekjet amerikane të vazhdojnë edhe për pak kohë.

XS
SM
MD
LG