Lidhje

Drejtori i CIAs Brennan merr në mbrojtje agjencinë


SHBA do të vazhdojnë të kenë si objektiv al-Kaidën

SHBA do të vazhdojnë të kenë si objektiv al-Kaidën

Drejtori i Agjencisë Qëndrore të Zbulimit, John Brennan, mori në mbrojtje agjencinë nga akuzat e ngritura në raportin e Senatit se CIA ka përdorur teknika çnjerëzore për marrjen në pyetje të personave të dyshuar për terrorizëm.

Në një fjalim të rrallë publik në selinë e agjencisë, zoti Brennan tha se programi i paraburgimit dha informacione të vlefshme në kapjen e udhëheqësve të lartë të al-Kaidës. Por ai pranoi se në disa raste ndaj personave në paraburgim u përdorën metoda të paligjshme, madje tronditëse.

Fjalimi i zotit Brennan vjen një ditë pasi disa anëtarë demokratë të komisionit të Senatit për Zbulimin e kritikuan atë për reagimin e agjencisë ndaj raportit. Ata thanë se përgjigja e CIAs është në kundërshtim me një shqyrtim të brendshëm të bërë nga ish drejtori i saj Leon E. Panetta, që ata thonë se është shumë më kritik ndaj metodave të marrjes në pyetje dhe paraburgimit.

Zoti Brennan theksoi ndërkaq se në shumë gjëra CIA veproi drejt, në një kohë kur përgjigjet nuk ishin të thjeshta.

REAGON EDHE NËNPRESIDENTI CHENEY

Ndërkohë, ish-nënpresidenti amerikan Dick Cheney thotë se Agjencia Qendrore e Zbulimit veproi në përputhje me udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë kur vuri në zbatim programin e marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Zoti Cheney tha dje në një intervistë për rrjetin Fox News se programi kishte për qëllim të kapte personat përgjegjës dhe të garantonte se nuk do të kishte sulme të tjera.

Ai theksoi se CIA meriton lëvdata dhe jo akuza pas publikimit të raportit të Senatit që dëshmon metodat e ashpra që kapërcejnë praktikat e lejueshme me ligj për të nxjerrë informata nga të ndaluarit.

Zoti Cheney tha se programi mund të ketë pasur ndonjë problem, por shtoi se zyrtarët u treguan shumë të kujdesshëm për të shmangur torturat. Ai këmbënguli se këto praktika sollën mbledhjen e informatave jetike për parandalimin e sulmeve të tjera.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG