Lidhje

Sot publikohet raporti mbi torturat e CIA-s


Objekte diplomatike dhe ushtarake amerikane kanë shtuar masat e sigurisë, ndërkohë që Senati përgatitet të nxjerrë një raport të shumë-pritur lidhur me metodat e CIA-s për marrjen në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm pas sulmeve të 11 shtatori 2001.

Raporti thuhet se ofron hollësi për teknika të tilla ekstreme si mbajtja e të dyshuarve pa gjumë për një kohë të gjatë, simulimi i mbytjes në ujë si dhe forma të tjera. Zyrtarë të administratës Obama kanë shprehur shqetësimin se mund të ketë reagime të dhunshme kundër interesave amerikane në botë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha dje në komentet për gazetarët se janë marrë hapa përgatitorë për të forcuar masat e sigurisë në objektet amerikane.

Zoti Obama ndaloi përdorimin e teknikave të tilla ekstreme kur filloi mandatin e parë në 2009. Zëdhënësi Earnest tha se presidenti beson që ka rëndësi për amerikanët të kenë një ide sa më të qartë të atyre që kanë ndodhur.

Raporti i Senatit do të jetë dokumentimi i parë publik i metodave që CIA ka përdorur për të nxjerrë informacion nga të dyshuar si operativë të al-Qaidës.

XS
SM
MD
LG