Lidhje

Çikago: Akseleratori Tevatron pranë mbylljes


US Department of Energy’s Fermilab
US Department of Energy’s Fermilab

Në laboratorin Fermi të Çikagos po merr fund kërkimi njëzetepesëvjeçar për një prej elementëve kyçë që ndihmon për të shpjeguar strukturën e gjithësisë. Akseleratori Tevatron, ku bëhet përplasja e pjesëzave nënatomike do të mbyllet brenda këtij viti. Pas kësaj, kërkimet për gjetjen e së ashtuquajturës “Pjesëza e Zotit”, do t’i kalojnë plotësisht akseleratorit të madh Hadron në Gjenevë të Zvicrës. Por Tevatroni ende nuk e ka plotësuar misionin e tij.

Ka më shumë se 15 vjet që shkencëtari Robert Roser kërkon pjesëzën nënatomike të quajtur "Higgs Boson."

"Higgs Boson është një pjesëzë hipotetike që ne besojmë se ekziston për të plotësuar një të metë në modelin standard. Për ne, modeli standard është mekanizmi matematik i funksionimit të gjithësisë. Problemi është se ky model nuk e shpjegon dot nocionin e masës," thotë Roser.

Zbulimi i pjesëzës Higgs Boson, i njohur si “Pjesëza e Zotit”, mund t’u jepte shkencëtarëve përgjigjen për shumë prej pyetjeve më të rëndësishme që shtrohen sot para njerëzimit.

"Pyetja që ne shtrojmë është se si funksionon gjithësia dhe përse është e ndërtuar kështu?” thotë Rosen.

Për të gjetur këtë pjesëzë hipotetike, shkencëtarët në Laboratorin Fermi përdorin akseleratorin Tevatron për të bërë përplasjen e protoneve dhe antiprotoneve. Me të dhënat që marrin ata përpiqen të diktojnë shenja të ekzistencës së saj. Deri tani nuk e kanë gjetur, por Roser thotë se ata mund të kenë gjetur diçka tjetër.

"Duke kontrolluar të dhënat që kemi nxjerrë gjatë dhjetë vjetëve, ne po veçojnë ato që kemi mësuar nga këto të dhëna. Këtu për shembull, mund të shihni dëshminë e ndoshta një pjesëze të re. Ndoshta gjatë muajve të ardhshëm mund të dalin edhe gjëra të tjera po aq interesante."

Zbulimi i një pjesëze nënatomike ndoshta të panjohur më parë, mund të jetë edhe zbulimi i fundit që bëhet me Tevatronin.

"Çdo gjë e mirë ka fundin e saj dhe ky do të jetë fundi i Tevatronit. Ai ka patur një karrierë të lavdishme, 25-vjeçare, mjaft e gjatë për një akselerator."

Pier Oddone është drejtor i Laboratorit Fermi. Ai thotë se financimi që duhet për të vazhduar kërkimin e pjesëzës Higgs Boson, nëse ajo ekziston, e kalon buxhetin vjetor të laboratorit prej 400 milion dollarësh.

"Kjo është sa një e treta e buxhetit të laboratorit të Gjenevës."

Në laboratorin CERN të Gjenevës ndodhet akseleratori i madh Hadron, i ndërtuar në bashkëpunim me laboratorin Fermi dhe që është më i fuqishëm se Tevatroni. Kur Tevatroni të mbyllet, fokusi në këtë fushë do të zhvendoset nga Amerika në Evropë.

"Në dy dekadat e fundit fokusi nisi të zhvendoset kur filloi ndërtimi i laboratorit të Gjenevës me akseleratorin gjigant që ne u përpoqëm të ndërtojmë në Teksas e që quhej superakseleratori superpërcjellës. Ne e mbyllëm tonin por evropianët e vazhduan punën dhe kjo çoi në këtë diferencë përsa i përket financimit të laboratorëve."

Shkencëtarët thonë se edhe pse laboratori Fermi mund të humbë nga prestigji i tij kur të mbyllet Tevatroni, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë mjaft të pranishme në fizikën e pjesëzave. Robert Roser thotë se Tevatroni ka qenë një përpjekje ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të njihet si i tillë edhe pasi kërkimet të jenë zhvendosur në Gjenevë.

"Në këtë eksperiment marrin pjesë 15 vende. Rreth 300 nga 600 bashkëpunëtorët janë nga institucione joamerikane. Pra kemi të bëjmë me një bashkëpunim të madh ndërkombëtar. Sot, e gjithë shkenca është e tillë."

Edhe pasi Tevatroni të shuhet, ai do të vazhdojë të luajë rol në laboratorin Fermi. Inxhinjerët do të hapin disa pjesë të tunelit ku më parë nuk mund të hyhej dhe do të ekspozojnë në to disa pajisje të akseleratorit, që do të mund të vizitohen nga publiku i gjerë.

XS
SM
MD
LG