Lidhje

Cilët njerëz janë të lumtur?


Cilët njerëz janë të lumtur?
Cilët njerëz janë të lumtur?

Njerëzit e lumtur thuhet se e shijojnë më shumë jetën dhe një studim i ri arrin në përfundimin se ata mund të jetojnë më gjatë. Në studimin shumëvjeçar mbi plakjen u përfshinë rreth 4 mijë njerëz në Britani. Studjuesi kryesor Andrew Steptoe i Universitetit të Londrës shpjegon se në një ditë të veçantë pjesëmarrësit në studim i pyetën se si ndjeheshin.

“Përdorëm kritere matjeje mjaft të thjeshta. Kriteri “ndikimi pozitiv” ishte kombinim i përgjigjeve për pyetjet “sa të lumtur ndjeheshin, sa të emocionuar ishin dhe sa të kënaqur ndjeheshin”. Të gjitha këto pyetje u vlerësuan sipas një matjeje të thjeshtë, prej 5 shkallësh, që nga përgjigjet “aspak”, deri tek “jashtëzakonisht”.

Gjatë 5 vjetëve të kohëzgjatjes së studimit, shkencëtarët vunë re se disa nga pjesëmarrësit vdiqën.

“Nga studimi mësuam se njerëzit me një qëndrim më pozitiv për jetën, pra njerëzit më të lumtur, kishin më pak rrezik të vdisnin gjatë asaj periudhe.”

Në fakt, njerëzit më të lumtur kishin 35 për qind shanse më pak të vdisnin se ata më pak të lumtur.

Në ndryshim nga studime të mëparshme, pjesëmarrësit në këtë studim u pyetën se si ndjeheshin në ato momente. Në studime të mëparshme zakonisht shtrohej pyetja “si jeni ndjerë gjatë javës së kaluar?” Por studjuesi Steptoe thotë se sipas psikologëve njerëzit zakonisht nuk i përgjigjen mirë kësaj pyetjeje .

“Për shembull, në se ekipi i preferuar i futbollit ka humbur gjatë fundjavës së mëparshme, apo diçka e ngjashme, ata do ta cilësonin veten më pak të lumtur gjatë të gjithë javës, edhe pse kjo mund të mos ketë patur ndikim të ngjashëm tek ta. Pra, të kuptosh se si ndjehen njerëzit në atë moment, duket se e kapërcen këtë lloj problemi.”

Në të njëjtën kohë që pjesëmarrësit në studim i përgjigjeshin pyetjeve se si ndjeheshin, atyre ju mor edhe një mostër e pështymës. Studjuesit kanë në plan t’i analizojnë mostrat për praninë e mundshme të hormonit “kortizol” që lidhet me stresin, për të parë në se ekziston një lidhje midis stresit dhe jetëgjatësisë.

Studjuesi Andrew Steptoe dhe bashkautorja Jane Wardle i bënë të njohura përfundimet e tyre në revistën shkencore “Punimet e Akademisë Kombëtare të Shkencave”.

XS
SM
MD
LG