Lidhje

Cili është Viktor Buti?


Cili është Viktor Buti?
Cili është Viktor Buti?

Trafikanti i dyshuar rus i armëve, Viktor But doli këtë javë në Nju Jork para një gjykate federale nën akuzat për terrorizëm, ku nuk pranoi fajësinë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera bisedoi me Douglas Farah, autor i një biografije të trafikantit të dyshuar But.

Libri i Douglas Farah me titull "Tregtari i Vdekjes" është një referencë për aktivitetet e shumta të dyshuara të Viktor Butit në trafikimin e armëve.
Autori Farah thotë se Viktor Buti ishte officer i forcave ajrore sovjetike, i cili pa mundësinë e shitjes së armëve nëpër botë ndërsa lufta e ftohtë po merrte fund.
"Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, dukej sikur ai kishte një vizion, që nuk e kishte njeri tjetër. Vendi kishte arsenale të mëdha armësh, ndërkohë që nuk paguheshin as ushtarë e as officerë dhe këto armë ishin relativisht të lira. Gjithashtu kishte aeroplanë të braktisur në gjithë vendin, që nuk përdoreshin sepse nuk kishte fonde për karburant apo për mirëmbajtje. Viktor Buti përfitoi nga kjo gjendje dhe filloi të fluturonte me këta aeroplanë, duke transportuar kontrabandë në gjithë botën arsenalin rus të armëve".

Zoti Farah jep disa shembuj të veprimtarive të Viktor Butit në trafikimin e armëve.
"Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera e kanë akuzuar atë për trafikim armësh në Liberi dhe Siera Leone, veçanërisht në kulmin e luftërave brutale në Afrikën Perëndimore. Ai bëri shumë tregti me rebelët UNITA në Angola. Ai kishte marrrëdhënie të mira me Mobuto Sese Sekon në Zaire. Por ai ishte i ndërlikuar në të njëtin konflikt, duke armatosur kryengritësit që erdhën në pushtet me në krye Laurent Kabilën. Me pak fjalë, ai është angazhuar në shumë anë të konfliteve të ndryshme".

Autori i biografisë së Viktor Butit thotë se ai nuk i dha armë al-Kaidës, por pati shumë marrëveshje me Talebanët në Afganistan.
"Kjo ndodhi pjesërisht sepse një prej aeroplanëve të tij, me të cilin ai dërgonte armë për Aleancën Veriore në Afganistan u ul në territorin e kontrolluar nga Talebanët. Këta të fundit morën armët dhe mbajnë në burg për rreth një vit disa prej bashkëpunëtorëve të Viktor Butit. Pa pritur ata u liruan dhe Viktor Buti filloi të furnizonte talebanët me armë, madje edhe me aeroplanë".

Për dy dekada, thuhet se ai i shiti armë kujtdo që paguante dhe në të njëjtën kohë u shpëtoi autoriteteve ndërkombëtare.

Zoti Farah thotë se më në fund Viktor Buti u arrestua në Tailandë në vitin 2008 me anë të një operacioni të agjentëve amerikane, të cilët u paraqitën si anëtarë të lëvizjes guerrile të Kolumbisë, FARC për të blerë gjoja armë prej tij.
"Pas një seri takimesh dhe bisedash telefonike me Butin, këta agjentë ranë dakord të takoheshin me të në Bankok, ku do të finalizohej marrëveshja. Në takimin e Bankokut, Buti u ofroi atyre raketa tokë-ajër dhe aeroplanë për të sulmuar radarë amerikanë dhe specifikisht tha se ishte në dijeni që këto armë do të përdoreshin për të vrarë amerikanë. Dhe me që lëvizja guerrile FARC konsiderohet organizatë terroriste, ai mund të dënohet me burg për një kohë të gjatë".

Të martën më 16 nëntor, Viktor Buti u ekstradua nga Tailanda në Shtetet e Bashkuara, pas një beteje ligjore 2 vjeçare. Ai thotë se është biznesmen dhe nuk ka të bëjë me trafikim armësh, pretendim ky që mbështetet nga zyrtarët rusë.

Me anë të një deklarate, Ministria e Jashtme ruse e quajti ekstradimin "të paligjshëm" dhe deklaroi se Moska do t’i jape Butit të gjithë ndihmën ligjore, që meritojnë qytetarët ruse jashtë vendit.
Autori Farah thotë se Viktor Buti ka miq me influence në agjencinë ruse të zbulimit dhe zyrtarët ruse janë të shqetësuar se ç’mund t’u thotë Buti autoriteteve amerikane.
"Buti mund t’u jape amerikanëve shumë informacion rreth shitjes së armëve nga rusët nëpër botë dhe se si funksionon struktura ruse e zbulimit dhe kjo është diçka që i shqetëson rusët".

Por autori Farah thotë se edhe njerëz të tjerë janë të shqetësuar se ç’mund të thonë Viktor Buti kur të merret në pyetje.
"Viktor Buti bëri fluturime për Shtetet e Bashkuara në Irak, për britanikët, për Kombet e Bashkuara e kështu me radhë. Ai transportonte thuajse çdo gjë dhe për këdo që i kërkonte një gjë të tillë dhe që e paguante. Prandaj shumë njerëz do të donin që ai të mos hynte në shumë hollësi rreth historiesë së gjatë të veprimtarive të tij".
Kur doli këtë javë para një gjykate federale në Nju Jork, Viktor Buti nuk i pranoi akuzat e ngritura kundër tij për terrorizëm.

XS
SM
MD
LG