Lidhje

SHBA, 50 vjet nga Akti i të Drejtave Civile


Këtë javë është duke u përkujtuar një moment i rëndësishëm në historinë amerikane, ndërsa vendi shënon 50 vjetorin e nënshkrimit të Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964 (2 korrik 1964). Ky ligj historik e quante shkelje diskriminimin racor dhe i jepte fund ndarjes në shkolla, vendet e punës dhe shërbimet publike. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim hapave që çuan në miratimin e Aktit të të Drejtave Civile, i cili shënoi një pikë kthese në historinë e Amerikës.

Viti 1963, Birmingham, në shtetin e Alabamës: demonstratat për të drejta civile, në jug të SHBA-së, u bënë të dhunshme. Presidenti John Kennedy e quajti situatën një krizë morale.

"Kjo nuk është një çështje lokale. Vështirësi prej segregacionit dhe diskriminimit ekzistojnë në çdo qytet, në çdo shtet amerikan, duke krijuar në shumë qytete një valë pakënaqësie në rritje që kërcënon sigurinë publike," tha ai.

Presidenti Kennedy takoi udhëheqësin e lëvizjes për të drejtat civile Martin Luther King për të diskutuar dhënien fund të demonstratave. Takimi u organizua nga këshilltari i zotit Kennedy, Harris Wofford.

"Martin Luther King tha shprehimisht se pjesë e asaj që arrijnë protestat paqësore është krijimi i një krize të cilën njerëzit në pushtet - qoftë në qeveri, në korporata apo të tjerë - duhet ta dëgjojnë," u shpreh zoti Wofford.

Presidenti Kennedy u përgjigj në një fjalim të transmetuar në mbarë vendin.

"Në shumë komunitete, në shumë zona të vendit, po shkaktohen padrejtësi ndaj qytetarëve zezakë dhe nuk ka mjete ligjore që t’i mbrojnë. Nëse Kongresi nuk vepron, zgjidhja e vetme për ta është protesta në rrugë. Për këtë arsye, i kërkoj Kongresit të miratojë legjislacion duke i dhënë të gjithë amerikanëve të drejtën që të shërbehen në objektet e hapura për publikun."

Akti i të Drejtave Civile ndaloi ndarjen racore në shkolla, në vendet e punës dhe në vende të shërbimit publik, si restorantet. Legjislacioni u përball me kundërshtim të fortë nga ligjvënës kryesisht të bardhë nga jugu, që u përpoqën të bllokonin miratimin e tij.

Harris Wofford thotë se demonstratat e vazhdueshme dhe vrasja e presidentit Kennedy krijuan kushtet për miratimin e Aktit të të Drejtave Civile.

"Nuk mendoj se miratimi do të kishte qenë i sigurt nëse Presidenti Kennedy nuk do të ishte vrarë dhe nëse nuk do të kishim pasur valën e mirëkuptimit që përfshiu shumicën e njerëzve në Shtetet e Bashkuara."

Korrik 1964: presidenti Lyndon Johnson dekreton në ligj Aktin e të Drejtave Civile. Ish-ligjvënësi Ron Dellums thotë se ishte një arritje kurorëzuese për shumë afrikano-amerikanë.

"Akti i të Drejtave Civile ishte një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë amerikane. Mendoj se ishte një kohë kur njerëzit në këtë vend përkulnin procesin politik sipas vullnetit të tyre."

Pesë dekada më vonë, Jack Jones ishte një nga ata që panë frytet e ligjeve kundër diskriminimit. Ai u rrit në jugun me ndarje racore, ku i ishin mohuar mundësitë, por më vonë arriti të drejtonte një kompani të vogël të përhapur në mbarë vendin.

"Nuk kam absolutisht asnjë dyshim se Akti i të Drejtave Civile ndryshoi Amerikën. Ky ligj solli më tepër ndryshim për ne, afrikano-amerikanët, por gjithashtu synonte ta bënte këtë një vend më të mirë."

Aktivistët thonë se mbështetja e aq shumë njerëzve që demonstruan për liri dhe drejtësi në vitet 1960 ndihmoi që Akti i të Drejtave Civile të bëhej realitet dhe një gur themeli për drejtësinë racore.

XS
SM
MD
LG