Lidhje

Ekspozitë e re për udhëheqësit e të drejtave civile në SHBA

  • Xhuli Tabo

Ekspozitë e re për udhëheqësit e të drejtave civile në SHBA

Ekspozitë e re për udhëheqësit e të drejtave civile në SHBA

Galeria Kombëtare e portreteve Smithsonian ka hapur një ekspozitë ku tregohet për individët të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e të drejtave civile dhe drejtësisë në Amerikë. Ekspozita përfshin figura të rëndësishme të shekullit 19-të si Frederick Douglass dhe Susan B. Anthony, si dhe udhëheqësit e shekullit të 20 si Martin Luther King Jr dhe César Chávez.

Në 1963, 250 mijë vetë demonstruan në Uashington duke kërkuar barazi racore dhe liri. Në atë kohë ajo ishte demonstrata më e madhe për të drejtat civile në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Gjatë marshimit, veprimtari i të drejtave të njeriut Martin Luther King Jr mbajti fjalimin e tij tij "Unë Kam një Ëndërr", në mbrojtje të harmonisë mes racave.

Aktivisti i të drejtave civile A. Philip Randolph, organizoi këtë marshim. Randolph dhe Martin Luther King janë në mesin e dhjetra udhëheqësve të të drejtave civile që nderohen në një ekspozitë të re në Galerinë Kombëtare të Portreteve në Uashington.

Ekspozita përmban rreth 40 piktura, fotografi, dhe skulpturat e figurave kryesore të shekullit të 19 dhe 20, të cilët luftuan për të ngritur statusin e afrikano-amerikanëve, grave, indianëve të Amerikës, homoseksualëve si dhe personave me aftësi të kufizuara.

Ka fotografi të Frederik Douglass që luftoi për eliminimin e skllavërisë, dhe aktivistit Booker T. Washington, i cili u rrit në skllavëri, por u bë një nga udhëheqësit më të rëndësishëm afrikano-amerikanë të kohës së tij.

Sociologu dhe historiani W.E.B. Du Bois, i treguar këtu në një portret pastel, është i mirënjohur për librin e tij “ Shpirtrat e Folklorit të Zi”, i cili përshkruan se çdo të thotë të jesh afrikano-amerikan në fillim të shekullit 20. Libri vazhdon të lexohet nga studentë, të bardhë e me ngjyrë në të gjithë Amerikën.

Sidney Hart është një historian veteran në Galerinë Kombëtare të Portreteve. Ai thotë se ndryshe nga Booker T. Washington që kërkonte përmirësimin e gjendjes, Du Bois bëri thirrje për të drejta të menjëhershme civile dhe politike për afrikano-amerikanët.

"Pra, këto dy rryma përfaqësojnë degët e kundërta që luftonin për të drejtat civile të afrikano-amerikanëve. Dy nga personazhet më të rëndësishme, nga njëra anë Du Bois, kozmopolit i arsimuar në Harvard, mendimtar, ndërsa Uashingtoni, i lindur në skllavëri i cili arriti vetë të përparonte. Ne donim që të dy ata të jenë në ekspozitë për të përfaqësuar të dy polet e kundërta të të drejtave të njeriut."

Rosa Parks figuron gjithashtu në ekspozitë. Në 1955, ajo u arrestua kur nuk pranoi t'i lëshonte vendin e saj një burri të bardhë në një autobus në Montgomery, Alabama. Kjo shkaktoi një bojkotim të sistemit të autobsëve të qytetit. Një vit më pas, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi që ligjet që kërkojnë ndarjen racore në autobusë ishin jokushtetuese.

Cezar Çavez, një meksikano-amerikan që punonte në fermë, udhëhoqi një seri protestash në 1960 kundër trajtimit të padrejtë të punëtorëve të përkohshëm. Ai bashkëthemeloi Sindikatën e Fermerëve, e cila filloi një bojkot mbarëkombëtar të produkteve të vreshtarisë në Kalifornisë për të përmirësuar kushtet për fermerët.

Chavez dhe Dolores Huerta, bashkëthemeluesja e organizatës, nderohen me një pikturë, së bashku me aktivistë të tjerë të shquar.


Në Lëvizjen e Indianëve të Amerikës, Leonard Crowdog konsiderohet si udhëheqës shpirtëror. Edhe ai është pjesë e ekspozitës.

Frank Goodyear, kurator i Fotografive, thotë se Crowdog nuk punoi vetëm për demonstrata për të nxitur të drejtat e indianëve të Amerikës. Ai gjithashtu inkurajoi popullatën indigjene t’u riktheheshin traditave të tyre.

"Ai fliste për rëndësinë e kthimit të indianëve të Amerikës drejt trashëgimisë së tyre, traditave të tyre dhe gjetjen e forcës në këtë histori."

Në 1920, gratë amerikane fituan të drejtën e votës. Lucretia Mott, Elizabeth Cady Stanton dhe Susan B. Anthony-në të djathtë - si dhe Carrie Catt Chapman, udhëhoqën këtë betejë. Përpjekjet e tyre çuan në miratimin e amendamentit 19 të kushtetutës amerikane, që garanton të drejtën e gruas për të votuar.

Individët heroikë të nderuar në këtë ekspozitë, luftuan shumë për të arritur drejtësi dhe barazi për bashkëkombasit e tyre amerikanë. Ata kujtohen jo vetëm për betejat që zhvilluar, por për themelet që hodhën për fitimin e betejave të së ardhmes.

XS
SM
MD
LG