Lidhje

Shoqëria civile përballë interesave të biznesit


Eugen David është një fermer që ka jetuar në Rosia Montana të Rumanisë, për 20 vitet e fundit.

Ai mësoi se një firmë minerare do të kryente një projekt në fillim të viteve 2000 për krijimin e një rezervuari për të depozituar ujë të ndotur me cianid. Projekti parashikonte zhvendosjen e mijëra personave nga shtëpitë e tyre.

Davidi nuk donte të zhvendosej dhe tashmë drejton një shoqatë vendase që kundërshton aktivitetin minerar në këtë zonë. Protestat kundër projektit vazhduan për mbi 15 vjet dhe rezultuan në demonstratat më të mëdha që janë zhvilluar në Rumani që nga vitet ’80-të.

Gjykatat rumune vendosën më vonë se lejet minerare ishin dhënë në mënyrë të paligjshme dhe parlamenti e shpalli zonën malore Rosia Montana pjesë të trashëgimisë historike dhe zonë të mbrojtur.

Kompania që menaxhonte projektin, “Gabriel Resources”, paditi qeverinë rumune në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit, ISDS. Seanca e parë u zhvillua në muajin shtator.

Davidi thotë se u shokua kur dëgjoi për gjykatën.

“Ndoqëm të gjitha procedurat ligjore dhe provuam ligjërisht se projekti i ‘Gabriel Resources’ ishte i paligjshëm. Ata tashmë kanë zbuluar deriçkën e gjykatës së arbitrazhit, por projekti duhej të ishte mbyllur njëherë e mirë,” thotë ai.

Procedura të debatueshme

Gjykata ISDS është një institucion që ka ngjallur polemika, ku investitorët e huaj mund të padisin qeverinë në një proces me dyer të mbyllura, për dëme të shkaktuara në rastet kur shteti ka shkelur një marrëveshje tregtare apo ligjin ndërkombëtar.

Firma kanadeze ‘Gabriel Resources’ e ka bazuar padinë tek një marrëveshje dypalëshe tregtare ndërmjet Rumanisë dhe Kanadasë, ku përfshihen edhe aspekte të arbitrazhit në gjykatën ISDS.

Alfred de Zayas ka hetuar këtë gjykatë, si një ekspert i pavarur i Komisionit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Ai thotë se këto zgjidhje me marrëveshje private vendosin në rrezik legjislacionin e miratuar në rrugë demokratike të shteteve sovrane.

“Investitorët e kanë mbrojtjen që u duhet. Normalja do të ishte që kur shkon në një vend për të bërë fitim, duhet të zbatosh ligjet e atij vendi. Ndërsa ata duan të kenë gjykatën e tyre dhe ky është një sulm frontal ndaj konceptit të shtetit ligjor,” thotë ai.

Qendra për Legjislacionin Mjedisor në Uashington po e ndjek çështjen, në mënyrë që t’i ofrojë mbështetje ligjore organizatave vendore në Rosia Montana që zëri i tyre të dëgjohet në gjykatë. Deri më tani nuk u është dhënë akses në asnjë nga dokumentat e padisë gjyqësore.

Bashkimi Evropian është duke negociuar ndërkohë dy marrëveshje të rëndësishme të tregtisë, të cilat ngjallën protesta masive në disa vende evropiane muajin e kaluar. Marrëveshjet në fjalë janë ‘Marrëveshja Transatlantike’, ‘Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Ekonomisë dhe Tregtisë (CETA)’, si dhe ‘Marrëveshja e Partneritetit për Investime (TTIP)’, që është diskutuar vazhdimisht që nga viti 2013 dhe me të cilën po merren gjatë kësaj jave në Nju Jork negociatorët e BE-së dhe SHBA-së.

BE-ja dhe Kanadaja kanë diskutuar rreth marrëveshjes CETA për shtatë vjet. Dje u zbulua një draft përfundimtar i saj, një kapitull i të cilës për sistemin gjyqësor për investimet u kundërshtua menjëherë nga organizatat vendore të shoqërisë civile. Varianti përfundimtar i marrëveshjes CETA pritet të nënshkruhet brenda këtij muaji.

Një sistem i ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve?

Komisionerja e BE-së për Tregtinë, Cecilia Malmstrom deklaroi vitin e kaluar se një sistem i ri gjyqësor për investimet do të zëvendësonte sistemet e arbitrazhit, duke e quajtur sistemin e ri “një sistem i modernizuar i gjykatave për investimet, që u nënshtrohet parimeve demokratike dhe të drejtës së publikut për të hetuar”.

Lora Verheecke punon për organizatën “Vëzhguesi i Korporatave në Evropë”, që mbikqyr influencën e lobingut të korporatave në procesin e vendimmarrjes në Evropë. Ajo thotë se nuk ka dallim ndërmjet sistemit të arbitrazhit dhe sistemit të ri të propozuar.

Ajo thotë se sistemi i ri u jep vetëm të drejta dhe jo detyrime korporatave, dhe se atyre u jepet sërish e drejta për t’u kompensuar për vendime të marra në rrugë demokratike, të cilat mund të shkaktojnë humbje financiare.

“Ka disa ndryshime për sa i përket mekanizmit të apelimit dhe në sistemin rregullator, por shteteve ende u duhet të provojnë që këto rregulla janë të domosdoshme dhe se objektivat janë legjitime”, thotë ajo.

Nuk dihet se sa do të zgjasë çështja ndërmjet Rumanisë dhe firmës “Gabriel Resources”, pasi shumica e këtyre çështjeve të arbitrazhit zgjasin me vite të tëra.

Davidi thotë se ai dhe komuniteti në Rosia Montana janë të vendosur ta vazhdojnë luftën që të dëgjohen dhe të respektohen kërkesat e tyre.

XS
SM
MD
LG