Lidhje

Akuzat për rrëmbim e përdhunim ndaj Ariel Castros


Ish-shoferi i një autobuzi shkolle, i akuzuar për mbajtjen peng të tre vajzave në shtëpinë e tij për një dekadë, doli sot për herë të parë para gjykatës së Clevelendit, me kokën të ulur, ndërsa gjykatësi vendosi shumën e 8 milionë dollarëve për lirimin e tij me kusht, një shumë të cilën Castro i papunë zor se mund ta paguajë.

Prokurori tha se 52-vjeçari Ariel Castro akuzohet për rrëmbimin dhe përdhunimin e tre vajzave Amanda Berry, Gina DeJesus dhe Michelle Knight dhe se gjatë gjithë këtyre viteve ato nuk kishin qenë kurrë të lira për t’u larguar nga banesa.

Castro po ashtu ndeshet me një akuzë tjetër, rrëmbimin e vajzës 6-vjeçare të Amanda Berry-it, e cila ka lindur gjatë periudhës së mbajtjes peng të nënës. Policia është duke kryer një analizë për të përcaktuar se kush ka qenë babai i vajzës.

Dy vëllezërit e Ariel Castros, Onil dhe Pedro, të cilët po ashtu u arrestuan, nuk do të akuzohen për vepra penale. Policia thotë se nuk ka prova se dy vëllezërit ishin të përfshirë në rrëmbimet, apo se ishin në dijeni të pranisë së tre grave që thuhet se mbaheshin të lidhura në shtëpinë e vëllait.

Të treja janë rrëmbyer nga viti 2002-2004, dy prej tyre në adoleshencë, e treta në të 20-tat.
XS
SM
MD
LG