Lidhje

Programi suedez për klimën nxit amerikanët të kursejnë energji

  • Zëri Amerikës

Programi suedez për klimën nxit amerikanët të kursejnë energji

Programi suedez për klimën nxit amerikanët të kursejnë energji

Para pak vitesh, 12 familje në qytetin suedez Kalmar buzë detit Baltik premtuan të reduktonin ndikimin e tyre tek mjedisi. Ata ia arritën qëllimit të tyre, duke ulur sasinë e çlirimit të gazit karbonik me një të tretën. Nisma e tyre për energji të pastër po shërben si model për një program të qeverisë suedeze që të angazhojë amerikanët e zakonshëm, përdoruesit më të mëdhenj të energjisë, në një përpjekje të ngjashme.

Programi pilot për klimën bëri që Nolan dhe Kethi Stoks nga Falls Church i shtetit Virxhinia të ndryshonin shumë gjëra në shtëpinë e tyre.

“Jemi duke hequr dritaret me një xham dhe duke i zëvendësuar me ato me dy xhama. Projekti më i madh është gërmimi në oborr ku po hapim një pus gati 200 metrash për të vendosur nën tokë një pompë për ngrohjen e ujit.”

Nolan Stoks mendon se me kredinë nga taksat dhe faturat më të ulëta të ngrohjes dhe ajrit të kondicionuar, ai do t’i nxjerrë 30 mijë dollarët e investuar për sistemin gjeotermal.

“Mendoj se do të kursejmë mijëra dollarë në vit,” thotë ai.

Kethi Stoks thotë se kur kishin vendosur të fillonin programin pilot për klimën me ambasadën suedeze ata kishin nevojë për udhëzime.

“Ne mendonim se duhet të kishte një mënyrë për të reduktuar më shumë çlirimin e gazit karbonik, përveç përmes riciklimit dhe zëvendësimit të llampave.”

Lars Roth është Sekretar i Parë për mjedisin në ambasadën suedeze në Uashington. Ai thotë se programi është bazuar në idenë se mënyrat individuale mund të kenë ndikim tek mjedisi global.

“Në fund të fundit varet nga zgjedhjet tona, dhe çfarë bëjmë në jetën e përditshme.”

Para 40 vjetësh, Suedia varej shumë nga nafta e huaj, qymyrguri, gazi natyror, ashtu siç janë Shtetet e Bashkuara sot.

Pas embargos së naftës në vitin 1973 dhe rritjet e çmimit të naftës më vonë, Suedia vendosi politika që e çuan vendin drejt burimeve të ripërtërishme dhe energjisë bërthamore.

Aktualisht një suedez çliron rreth 7,4 metër ton gai karbonik çdo vit krahasuar me 23,5 nga një amerikan.

Programi pilot për klimën nxit amerikanët të bëjnë ndryshime në përdorimin e energjisë, konsumin e ushqimit, argëtimin, transportin etj, të cilat amerikanët deri tani nuk i kanë ndryshuar, thotë Nolan Stoks.

"Jemi trainuar nga suedezët dhe na kanë inkurajuar të tregohemi të kujdesshëm se çfarë po bëjmë.”

Familja Stoks filloi të kontrollonte përdorimin e energjisë, izolimet, konsumin e mishit etj.

“Nuk më duket se po sakrifikojmë. Mendoj se njerëzit po ta dinin sa e thjeshtë është të reduktojnë çlirimin e gazit karbonik, do ta bënin një gjë të tillë.”

“Po jam dakort. Dikush duhet të na tërheqë vëmendjen, dhe ne jemi gati ta bëjmë këtë.”

Kathi dhe Nolan po u mësojnë edhe fëmijëve të tyre të kursejnë energji.
Çifti mbështet legjislacionin për reduktimin e gazit karbonik. Por edhe pa ligje të reja, ata mendojnë se çdo amerikan mund të bëjë më shumë për të çliruar më pak gaze të dëmshme.

XS
SM
MD
LG