Lidhje

Clinton në Tiranë, thirrje për zgjedhje të lira


Sekretarja amerikane fjalim në parlamentin shqiptar: “Duhet luftë ndaj korrupsionit. Klasa politike të kapërcejë interesat partiake e të bashkëpunojë”

Në Shqipëri sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Clinton bëri sot thirrje që vendi të luftojë me vendosmëri korrupsionin, të garantojë zgjedhje të lira e të drejta, të forcojë shtetin ligjor dhe që forcat politike të bashkëpunojnë ngushtë me njëra tjetrën. Këto komente ajo I bëri gjatë fjalës së saj në parlament, ndërsa rikonformoi edhe një herë mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë. Vizita e saj sot në u vlerësua si një moment historik në kuadër edhe të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit

Avioni i sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton, e katërta kryediplomate amerikane që viziton Tiranën që pas rënies së komunizmit, u ul në aeroportin Nënë Tereza pak pas orës 10.30. Pas ceremonialit të shkurtër ajo do të niste menjëherë takimet e ngjeshura që e prisnin gjatë katër orëve qëndrimi në kryeqytetin shqiptar. Bisedimet me presidentin Bujar Nishani, me kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Ndërsa momenti më i rëndësishëm ishte fjala e saj në parlamentin shqiptar, e ndërprerë shpesh nga duartrokitjet e deputetëve. Një fjalë ku ndërthurreshin ndjenjat e forta të miqësisë mes dy vendeve dhe identifikimi i sfidave që vendi ka përpara dhe mënyrën për t’i kapërcyer ato.

Sekretarja amerikane e shtetit vuri gishtin me problemet e vjetra që vazhdojnë të pengojne përparimin e shpejtë të vendit. Ajo vuri një theks të vecantë te zgjedhjet të cilat kanë qenë burim I vazhdueshëm konfliktesh: “Ju lutem, punoni për të garantuar që zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të drejta dhe do të konsiderohen të tilla nga e gjithë bota. Kjo është me rëndësi parësore në mënyrë që populli i Shqipërisë të ketë besim tek rezultatet dhe besim tek ju si udhëheqësit e tyre. Ky është gjithashtu një sinjal i rëndësishëm për BE-në se politika në Shqipëri mund të funksionojë pa probleme dhe strese”.

Por që politika të funksionojë si e tillë nevojitet bashkëpunimi mes palëve. Historia e vjetër dhe e re e demokracisë shqiptare ka treguar se sa i vështirë është ky bashkëpunim: "Për lulëzimin e demokracisë udhëheqësit duhet të krijojnë një kulturë bashkëpunimi që qëndron mbi interesat politike . shpresoj që dhe ju do të gjeni rrugën tuaj për një bashkëpunim të sinqertë e të vazhdueshëm. Lini mënjanë diferencat politike. Mund të besoni se ju jeni më I mirë se tjetri. Kjo është pjesë e politikës. Por në fund vënia e interesave politike dhe partiake pas atyre kombëatre është ajo që udhëheqësit demokrat duhet të bëjnë", u shpreh sekretarja amerikane e Shtetit.

Zonja Clinton u ndal gjatë edhe në luftën ndaj korrupsionit, një fenomen për shtrirjen e madhe të të cilit Shqipëria kritikohet thuajse në të gjithë raportet ndërkombëtare. Dhe për këtë ajo kërkoi sërish bashkëpunimin mes forcave politike.Ju bëj thirrje të trajtoni problemin që rëndon mbi shumë demokraci të ditëve tona, korrupsionin. Kjo është një betejë që çdo vend duhet ta zhvillojë dhe ta fitojë, pasi korrupsioni është një kancer që gërryen shoqërinë, shterron burimet, bllokon rritjen ekonomike, mbron udhëheqësit e paaftë dhe të pamoralshëm dhe ndoshta efekti më negativ është krijimi i një kulture të mosndëshkimit të shkeljeve që u mpak njerëzve vullnetin për të përmirësuar jetët dhe komunitetet e tyre. Ky problem nuk ka një zgjidhje të thjeshtë, është po aq i lashtë sa vetë natyra njerëzore. Jam e bindur se po të kishte një përgjigje të lehtë, bota do ta kishte zgjidhur prej kohësh. Çrrënjosja e korrupsionit kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe një angazhim të përbashkët, pavarësisht nga përkatësia partiake, pavarësisht nga mospajtimet mes jush, u bëj thirrje të gjithë udhëheqësve shqiptarë të angazhojnë vullnetin politik për të punuar së bashku, për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi ndaj pavarësisë suaj”.

Sekretarja amerikane vecoi në mesazhet e saj edhe rëndësinë e Shtetit të së drejtës."Konsolidimi i demokracisë kërkon më tepër se thjesht zhvillimin e zgjedhjeve; kërkon shtetin ligjor, kërkon institucione të forta, përfshirë një gjyqësor efektiv dhe të paanshëm; kërkon një qeverisje të hapur në mënyrë që qytetarët të na mbajnë ne, udhëheqësit - përgjegjës. Vlera të tilla i mundësojnë demokracisë të japë rezultate konkrete për popullin dhe kur këto vlera shtrembërohen, duhet të ketë kërkesë llogarie”.

Vizita e zonjës Clinton përbën një etapë mjaft të rëndësishme në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe shteteve të Bashkuara, marrëdhënie që janë forcuar falë një angazhimi shumë të fortë amerikanë vecanërisht në momente kyce të histirisë së kombit shqiptar. Dhe zonja Clinton premtoi se kjo mbështetje do të vazhdojë të jetë e tillë: "SHBA kanë qëndruar me ju në 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë edhe për 100 vitet e tjera të ardhshme dhe 100 vjet e 100 vjet të tjera më pas"

Vizita e saj u vlerësua si historike nga autoritetet shqiptare. Kryeministri Berisha e vlerësoi si xhevahirin më të cmuar në festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së vendit. Presidenti Nishani I akordoi asaj Urdhërin e Flamurit, një nga vlerësimet më të larta të Shtetit shqiptar.
XS
SM
MD
LG