Lidhje

Hillary Clinton bën thirrje për ndryshime pas trazirave në Baltimorë


Kandidatja për presidente e partisë demokrate, Hillary Clinton, u shpreh hapur lidhur me trazirat në Baltimorë, të Merilandit, në një fjalim që mbajti të mërkurën në New York. Disa kandidatë republikanë për president, po ashtu kanë bërë komente për këtë çështje.

Hillary Clinton është e vetmja demokrate që ka njoftuar se do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale dhe ajo ishte mes kandidatëve të parë presidencialë që foli publikisht lidhur me dhunën dhe trazirat e ditëve të fundit në Baltimorë, pas vdekjes së Freddie Gray-t ndërsa ishte i ndaluar nga policia.

“Ajo që pamë në Baltimorë duhet dhe në fakt na ka shkaktuar dhimbje të madhe. Më dhimbsen së tepërmi ata të rinj dhe familjet e tyre. Duhet ta pranojmë të vërtetën e pakëndshme lidhur me racën dhe drejtësinë në Amerikë."

Zonja Clinton foli në Universitetin Columbia të Nju Jorkut. Ajo tha se problemet në Baltimorë pasqyrojnë çështje më të thella që ekzistojnë në shoqërinë amerikane dhe që duhen trajtuar.

Ajo tha se është koha që t'i jepet fund asaj, që ajo e cilësoi si "epoka e burgimeve masive" të të rinjve, të atyre që shkelin ligjin për çështje të vogla dhe përmendi gjithashtu mungesën e financimeve për programet e ilaçeve dhe të shëndetit mendor.

Por zonja Clinton po ashtu tha se duhen mbajtur përgjegjës shkaktarët e dhunës së ditëve të fundit në Baltimorë:

“Dhuna duhet të marrë fund. Por le ta shikojmë çështjen më gjerë, në çdo komunitet të gjithë përfitojnë kur respektohet ligji dhe kur të gjithë pjesëtarët e komunitetit respektohen nga ligji."

Këto komente të zonjës Clinton në një farë mase ishin jehonë e atyre të Presidentit Barack Obama një ditë më parë në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Obama u përpoq të bënte dallimin mes problemeve të thella që ekzistojnë prapa dhunës në Baltimorë dhe atyre, të cilët qëllimisht u përpoqën të përfitojnë nga situata:

“Këtu nuk kemi të bëjmë me protestë dhe as me ndonjë qëndrim të caktuar. Kemi të bëjmë me njerëz, një grup njerëzish, që përfitojnë nga situata për qëllimet e tyre dhe ata duhen trajtuar si shkelës të ligjit."

Por presidenti po ashtu përmendi një numër incidentesh të kohëve të fundit në mbarë vendin, që kanë të bëjnë me mënyrën se si janë trajtuar nga policia disa të rinj zezakë. Gjatë incidenteve është përdorur forcën vdekjeprurëse,. Kjo, tha presidenti, ka ngritur pikëpyetje shqetësuese për atë që ai e cilësoi si "një krizë që po lëviz ngadalë” gjatë kohëve të fundit.

Edhe pretendentët republikanë për garën presidenciale bënë komente lidhur me ngjarjen. Ish guvernatori i Floridës Jeb Bush tha se dhuna në Baltimorë thekson nevojën për "përkushtim ndaj sundimit dhe zbatimit të ligjit."

Guvernatori i shtetit Visconsin Scott Walker njoftoi me twitter se është duke u lutur "për rivendosjen e paqes" në Baltimorë.

Senatori i Texasit, Ted Cruz, një nga tre republikanët që ka shpallur kandidaturën, tha se rasti i Freddie Gray-it duhet "hetuar tërësisht dhe pa mbajtur anë". Ai i dënoi personat përgjegjës për dhunën dhe plaçkitjet.

XS
SM
MD
LG