Lidhje

Sfidat me të cilat ndeshet zonja Clinton


Ajo është një rast i veçantë në histori. Ka përvojë brenda dhe jashtë vendit. Dhe siguroi mbështetjen e rivalit të saj kryesor brenda partisë.

Por, ajo ka vlerësimin më negativ që ka patur ndonjëherë një kandidat demokrat për president. A mund ta kapërcejë ajo këtë situatë?

Vetëm 38 për qind e votuesve e mbështetën zonjën Clinton në një anketë të firmrës Gallup të kryer një javë para fillimit të Kuvendit Demokrat, niveli më i ulët i mbështetjes për një kandidat presidencial në 24 vjet.

Ndërsa në një anketë të kohëve të fundit të gazetës “Washington Post” dhe televizionit “ABC News”, 54 për qind e të anketuarve thanë se kishin një përshtypje jo të mirë për zonjën Clinton. Vetëm 39 për qind e të anketuarve thanë se ajo është e ndershme dhe mund t’i besosh.

Një pjesë e kësaj përshtypjeje është ndoshta rrjedhojë e polemikave të shkaktuara nga përdorimi i emailit të saj privat gjatë periudhës kur ishte Sekretare e Shtetit.

“Problemi më i madh për zonjën Clinton është të kapërcejë hendekun e krijuar në besueshmërinë e saj”, - thotë historiani i Universitetit Amerikan Allan Lichtman. “Në një anketë, 56 për qind e amerikanëve mendonin se ndaj zonjës Clinton duhej të ishin ngritur akuza lidhur me problemet me serverin e emailit privat. Kjo është e jashtëzakonshme.”

Për një imazh më të ngrohtë

Por nuk është vetëm çështja e debatueshme e emaileve. Analistët thonë se zonjës Clinton do t’i duhet të përballet me përshtypjen e krijuar, se ajo nuk nuk ka ndjeshmërinë e nevojshme dhe nuk është në gjendje ta lidhë veten me problemet e zakonshme për amerikanët.

“Hillary shihet si një njeri i ftohtë, që bën llogari dhe nuk shquhet për integritet”, thotë konsulenti për politikat Gary Nordlinger. “Ajo duhe të tregojë se është dikush që i ndjen hallet e të tjerëve dhe kujdeset për ta, si dhe që është e besueshme.”

Folësit në Kuvendin Demokrat të kësaj jave, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, ish presidentin Bill Clinton, synuan me fjalimet e tyre të theksonin një anë më personale të zonjës Clinton, duke kujtuar vitet kur ajo regjistronte votues meksikano-amerikanë, kur mbështeste programe për arsimin parashkollor si dhe lidhjen me vajzën e saj, Chelsea.

Strategu i demokratëve, Robert Weiner, thotë se Clinton duhet t’u tregojë votuesve më tepër nga këto aspekte të saj, gjatë periudhës kur ajo do të vazhdojë fushatën, deri në nëntor.

“Ajo duhet të jetë më e ndjeshme dhe e sinqertë në marrëdhëniet me njerëzit, - thotë Weiner. “Ajo duhet të flasë duke i shprehur emocionet e saj, të thotë se se si ndikojnë problemet e njerëzve tek ajo dhe sa i njeh ajo familjet që i kanë këto probleme.”

Robert Weiner, i cili ka qenë zëdhënës i Shtëpsië së Bardhë kur president ishte Bill Clinton, thotë se ndërsa ish-zonja e parë, ish-senatore dhe ish-sekretare shteti, mund të mos jetë po aq karizmatike sa edhe kandidatët e tjerë demokratë në të shkuarën, ajo ka një aftësi të madhe për të zgjidhur problemet.

“Ajo është jashtëzakonisht e zgjuar. Ajo është në gjendje të vlerësojë me detaje ndikimin që mund të kenë politikat e caktuara, u shkon deri në fund problemeve me guxim, më mirë se kushdo tjetër që unë kam parë dhe këtu mund të përmend edhe zotin Obama dhe Bill Clintonin,” - thotë zoti Weiner.

Profesori i Universitetit Georgetown Stephen Wayne thotë se në betejën e zhurmshme me kandidatin republikan Donald Trump, duke qenë kandidatja më e qëndrueshme dhe më me përvojë, kjo mund të mos jetë diçka kaq negative për zonjën Clinton.

Kundërvënia ndaj Trumpit me një mesazh të qartë

Por, në garën partisë republikane, ku biznesmeni Donald Trump fitoi mes 16 kandidatësh të tjerë të partisë së tij, Clinton duhet të marrë mbi vete më tepër rreziqe, nëse do që të fitojë vota, thotë profesori Nordlinger.

“Kemi të bëjmë me një “mbretëreshë” absolute të institucioneve politike, në garë me “mbretin” absolut kundër institucioneve, pra kjo e favorizon Trumpin”, - thotë profesori i Universitetit “George Washington”.

…Dhe i emëruari i republikanëve është e sigurtë se do t’i vazhdojë sulmet e ashpra ndaj zonjës Clinton – qoftë duke e quajtur atë mashtruese, apo të korruptuar.

Edhe Clinton duhet të tregohet e ashpër në kundërgoditjet e saj, thotë autori i librit “Rruga drejt Shtëpisë së Bardhë”, Wayne.

“Ajo duhet ta provokojë me sulmet e saj Trumpin, sepse ai shpërthen në këto raste. Dhe kur shpërthen, ai shfaq emocione, të cilat njerëzit nuk duan t’i shohin te presidenti i tyre.” – thotë ai.

“Clinton duhet gjithashtu ta fokusojë mesazhin e saj”, thonë analistët.

“Ajo shpreh një lloj distancimi nga audienca. Prandaj duhet të gjejë një mënyrë më të mirë për t’u lidhur me votuesit dhe të zhvillojë një mesazh të qartë,”- thotë historiani i Universitetit Amerikan, Lichtman.

Tërheqja e sa më shumë njerëzve në votime

Më tepër se gjithshka tjetër, analistët thonë se zonja Clinton dhe fushata e saj duhet të përpiqen që të tërheqin sa më shumë njerëz në votime, me qëllim që Hillary të fitojë zgjedhjet presidenciale.

“Shumë nga njerëzit që përbëjnë elektoratin demokrat, të rinjtë, afrikano-amerikanët, hispanikët, zakonisht nuk shkojnë të votojnë, sikurse republikanët, - thotë Kazin. “Pra, nëse demokratët humbin, kjo do të ndodhë ngaqë njerëzit e tyre nuk dalin në votime, jo se shumica e amerikanëve të ligjshëm për të votuar zgjedhin Donald Trumpin.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG