Lidhje

Hillary Clinton pranon humbjen


Demokratja Hillary Clinton pranoi sot humbjen ndaj republikanit Donald Trump, duke thënë se shpreson që ai “do të jetë një president i suksesshëm për të gjithë amerikanët”.

“Donald Trump do të jetë Presidenti ynë. Ne i detyrohemi që të kemi një mendje të hapur dhe t’i japim një shans për të udhëhequr”, tha ajo.

Por ish-Sekretarja e Shtetit, që shpresonte të bëhej presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara, nuk e fshehu se sa e zhgënjyer ishte nga humbja. Ajo u tha simpatizantëve të saj që e pritën me duartrokitje në hotelin New Yorker në Manhattan:

“Kjo është e dhimbshme dhe kjo ndjesi do të vazhdojë për një kohë të gjatë”, tha ajo.

Zonja Clinton u bëri thirrje përkrahësve të saj që “të mos heqin dorë kurrë nga besimi për të luftuar për atë që është e drejtë, sepse është një kauzë e vlefshme”.

“Fushata jone nuk ishte për një person apo një palë zgjedhje. Ishte për vendin që duam dhe për të ndërtuar një Amerikë plot shpresa, gjithëpërfshirëse dhe me zemër të madhe”.

Zonja Clinton bëri thirrje për pjesëmarrjen e të gjithë amerikanëve në demokraci dhe jo vetëm për periudha zgjedhore.

Ajo falenderoi kandidatin për nënpresident, Tim Kaine dhe gruan e tij, Presidentin Obama dhe Michelle Obamën, bashkëshortin e saj, ish-Presidentin Bill Clinton dhe vajzën, Chelsea dhe gjithë familjen e tyre.

Dhe u përqendrua sidomos tek gratë dhe vajzat.

“Asgjë nuk më ka bërë më krenare sesa të isha kampionia juaj. E di që nuk arritëm ta thyejmë tavanin më të lartë prej qelqi, por jam e sigurt që dikush do ta bëjë dhe shpresoj që të ndodhë më shpejt nga sa e mendojmë tani”, tha ajo.

Dhe vajzave të vogla u bëri thirrje që të mos heqin kurrë dorë nga endrrat e tyre.

Zonja Clinton e përfundoi fjalimin me një thirrje për të punuar së bashku.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG