Lidhje

Hillary Clinton kërkon falje


Kandidatja presidenciale demokrate Hillary Clinton pranoi se përdorimi i serverit të email-it privat kur ishte sekretare e shtetit ishte “gabim” dhe kërkoi ndjesë, një veprim që aleatët e saj e kishin pritur ta dëgjonin prej saj me shpresën se mund të shuhet debati që për muaj me radhë ka trazuar kandidaturën e saj presidenciale.

"Mendoj se mund dhe duhet të kisha bërë një punë më të mirë për t’u përgjigjur pyetjeve më parë. Ndoshta nuk e vlerësova sa duhet nevojën për ta bërë këtë. Ajo që bëra ishte e lejuar. Por tani, kur u kthehem gjërave, mendoj se edhe pse ishte e lejuar, duhet të kisha përdorur dy llogari, një personale, dhe një tjetër për email-a të punës. Ishte gabim dhe kërkoj ndjesë për këtë. Marr përgjegjësinë dhe po përpiqem të jem sa më transparente".

Zonja Clinton i bëri komentet të martën gjatë një interviste për kanalin ABC. Ndjesa shënon një evolucion në pozicionin e zonjës Clinton gjatë pesë ditëve të fundit, pas anketave zhgënjyese dhe shqetësimeve mes stafit të fushatës se çështja e emailave po e dëmton atë.

Të hënën në një intervistë me agjencinë Associated Press, zonja Clinton vazhdoi të këmbëngulte se nuk do të kërkonte ndjesë për serverin privat.

Kjo çështje e ka ndjekur zonjën Clinton për muaj me rradhë.

Ajo dorëzoi gati 55,000 faqe me emaile që kishte dërguar apo marrë në serverin privat gjatë kohës që ishte sekretare e shtetit nga viti 2009 deri në 2013.

Në serinë e fundit të publikuar nga Departamenti i Shtetit më 1 shtator, zyrtarët thanë se rreth 150 emaile ishin të klasifikuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG