Lidhje

Fondacioni Clinton dhe zgjedhjet presidenciale

  • Chris Simkins

Fondacioni Clinton, është një organizatë jo fitimprurëse që ndihmon njerëzit në mbarë botën. Për këtë fondacion po flitet tani në fushatën e zgjedhjeve presidenciale, kritikët përmendin kryesisht kontributet e donatorëve dhe ndikimi që ata mund të kenë në politikat amerikane, në se zgjidhet presidente zonja Hillary Clinton.

Ish-presidenti Bill Clinton e themeloi fondacionin pas mbarimit të mandatit të tij në vitin 2001. Që atëherë, organizata bamirëse thotë se ka mbledhur afro dy miliardë dollarë në fonde.

Fondacioni Clinton ka qenë i përfshirë në disa projekte. Në Peru dhe El Salvador, kjo organizatë bamirëse ka punuar për nxitjen e turizmit dhe krijimin e më shumë mundësive të punësimit për bizneset lokale:

"Nga puna që është bërë deri tani, të ardhurat mesatare janë rritur deri në tre herë në çdo rajon të El Salvadorit, ku është zbatuar ky projekt."

Në Haiti, organizata ka financuar ndërtimin shkollave të reja dhe programe për të ndihmuar ekonominë në vështirësi të vendit. Ka edhe shumë projekte të tjera.

"Kjo përfshin punësimin e punonjësve të shëndetësisë dhe trajnimin e sipërmarrësve përmes organizatave të reja në Amerikën Latine. Ne i bëjmë të gjitha gjërat e nevojshme për të drejtuar programet tona dhe për të ndihmuar njerëzit." - thotë Craig Minassian, zëdhënës i fondacionit.

Fondacioni gjithashtu merret me çështjen e përmirësimit të shëndetit global, veçanërisht në luftën kundër Sidës, duke ulur çmimet për trajtimin e sëmundjes. Organizata është përqëndruar edhe në trajtimin e obezitetit tek fëmijët dhe sëmundje të tjera të parandalueshme, duke filluar projekte që krijojnë mundësi të reja për gratë dhe vajzat.

Analisti i çështjeve të filantropisë, Dan Borochoff i organizatës Charity Watch thotë se Fondacioni Clinton ka një reputacion të mirë:

"Ata janë në gjendje të shfrytëzojnë 88 për qind të buxhetit të tyre për programet bamirëse. Kostoja e tyre për mbledhjen e fondeve është me të vërtetë të ulët, ata shpenzojnë dy dollarë për të mbledhur 100 dollarë. Ata gjithashtu i përmbushin rregullat qeveritare dhe ato të transparencës."

Ndërkohë që fondacioni po shqyrton mundësinë e ndryshimeve në qoftë se Hillary Clinton zgjidhet presidente, organizata bamirëse thotë se është e angazhuar në aspektin afatgjatë për t’u siguruar që programet e saj të vazhdojnë, pavarësisht se kush është në Shtëpinë e Bardhë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG