Lidhje

Presidentja Jahjaga nderohet nga Nisma Globale Clinton

  • Julian Zyla

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u nderua mbrëmë në Nju Jork me çmimin e Nismës Clinton “Qytetari Global”. Asaj iu dha ky çmim gjatë një ceremonie në 10 vjetorin e takimeve të Nismës Globale Clinton, krijuar nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton. Julian Zyla i Zërit të Amerikës, ndoqi ceremoninë.


Presidentja Jahjaga u nderua mbrëmë me këtë çmim, siç u tha nga organizatorët, “për promovimin e pajtimit në rajon, dhe për ndërtimin e institucioneve politike dhe ekonomike të Kosovës, drejt anëtarësimit për në BE.” Gjatë fjalimit të saj, në ceremoninë e zhvilluar në një nga sallat e Hotel Sheraton këtu në Manhatan, ku do të zhvillohen këto ditë takimet e Nismës Globale Clinton në këtë përvejtor të 10-të, Presidentja Jahjaga falenderoi ish-Presidentin dhe ish-Sekretaren e Shtetit Clinton për nderin, duke shtuar se ky çmim nuk i përkiste vetëm asaj personalisht:

“Zoti President, zonja Sekretare, unë e konsideroj këtë çmim të madh një çmim për njerëzit e Kosovës, jetët e të cilëve ju keni prekur dhe keni ndryshuar përgjithmonë, përmes vendimit tuaj për të parandaluar genocid në Kosovë dhe duke qëndruar pranë nesh që prej asaj kohe, për të ndërtuar një shtet në paqe, të lirë dhe demokratik”, tha Presidentja Jahjaga.

Themeluar në vitin 2007, Çmimi i Nismës Clinton “Qytetari Global” synon të nxisë njerëzit të veprojnë, “duke nderuar individë të shquar që japin shembullin e një shtetësie globale nëpërmjet vizionit dhe udhëheqjes së tyre.” Presidentja Jahjaga tha se ndihej shumë e nderuar që ishte pjesë e kësaj ceremonie dhe që merrte këtë çmim nga zoti dhe zonja Clinton:

“Nga njerëzit që përmes angazhimit dhe udhëheqjes së tyre sollën paqe dhe drejtësi për miliona njerëz... Veprimet tuaja kanë përcaktuar vërtet kohën në të cilën jetojmë.”

Zonja Jahjaga u tregoi të pranishmëve se Kosova është përballur me shumë sfida të vështira, por njerëzit e këtij vendi kanë zgjedhur vendosmërinë e jo dëshpërimin, tha ajo. Sot, tha Presidentja, Kosova është duke realizuar vizionin e saj për një të ardhme në Bashkimin Evropian dhe në NATO:

“Si Presidente, unë jam shumë krenare që kam qenë pjesë e kësaj përpjekjeje kolektive dhe që i kam shërbyer vendit tim dhe njerëzve të tij. Kosova që ju liruat dhe ndihmuat të rindërtohet do të mbetet një histori e madhe shprese.”

Presidentja Jahjaga u prezantua nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, e cila i dorëzoi dhe çmimin. Mes personave të tjerë që u nderuan me çmimin e Nismës Clinton “Qytetari Global”, spikaste aktori Leonardo DiCaprio, i cili u vlerësua për “përkushtimin e tij në çështjet e mjedisit dhe për përpjekjet në ruajtjen e oqeaneve të botës,” aktivitete që aktori i realizon përmes fondacionit që mban dhe emrin e tij.

“Gjendemi në mesin e një krize të vërtetë e të frikshme. Ndryshimi klimatik po rrezikon vetë mundësinë e planetit tonë për të qenë i jetueshëm. Gazet e efektit serë konsiderohen përgjegjëse për gjashtë milionë vdekje të parakohshme në vit. E megjithatë ne qëndrojmë pasivë ndërkohë që oqeanet dhe pyjet tona, të cilat zbusin ndryshimin klimatik duke thithur karbonin e lëshuar, po shkatërrohen para syve tanë. Kjo nuk është një fatkeqësi vetëm për ne, por edhe për mbretërinë e kafshëve. Asnjëherë, që prej kohës së dinosaurëve, nuk ka pasur kaq shumë bimë dhe kafshë që të jenë zhdukur brenda një periudhe kaq të shkurtër", tha DiCaprio.

Përveç familjes Clinton, duke përfshirë dhe bijën Chelsea që së shpejti pret të bëhet nënë, të pranishëm në ceremoni ishin dhe personalitete të tjera të botës së politikës dhe spektaklit. Aktorja Eva Longoria foli për rëndësinë e një trajtimi sa më të drejtë të fermerëve në Shtetet e Bashkuara.

Mbrëmja e kësaj ceremonie u hap nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton.

Ajo u drejtua nga komediani dhe drejtuesi televiziv Seth Meyers dhe përfshiu interpretime muzikore nga artistë të ndryshëm, duke përfshirë Jason Mraz, grupin The Roots, etj.

XS
SM
MD
LG