Lidhje

Sekretarja Clinton ende nën kujdesin e mjekëve


Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton e filloi vitin e ri në një spital të Nju Jorkut, për shkak të një pllakëze gjaku të mpiksur në hapësirën mes trurit dhe kafkës. Ish zonja e parë Clinton vuri kandidaturën për president në zgjedhjet e vitit 2008. Në vazhdim do t’i hedhim një vështrim pasojave të trompozave dhe si do të ndikojë gjendja e zonjës Clinton në të ardhmen e saj politike:

Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton po përjeton trompozën e dytë. E para në këmbë, ndërsa udhëtonte kur ishte Zonjë e Parë 14 vjet të shkuara. Dhe e dyta të dielën e kaluar, një pllakëz tjetër gjaku të mpiksur, këtë herë në kokë.

Shumica e trompozave ndodhin në këmbë. Ato mund të jenë fatale nëse pllakëza shkëputet dhe shkon në mushkëri, ku pengon kalimin e gjakut dhe bllokon zemrën.

Por mjekët e zonjës Clinton thonë se pllakëza e gjakut të mpiksur u gjet në një venë në hapësirën “mes trurit dhe kafkës, mbrapa veshit të saj të djathtë”.

Dr. Ben Wedro punon në një qendër traumash në Uiskonsin.

“Në se bllokohet qarkullimi, gjaku grumbullohet në një vend dhe krijon pllakëza të mpiksura. Kjo është gjë e mirë kur ndodh jashtë venave të gjakut, por e rrezikshme kur ndodh brenda venave”.

Sekretarja Clinton u shtrua në një spital të Nju Jorkut të djelën. Ajo po mjekohet me hollues gjaku për të shmangur mundësinë e goditjes në tru ose të ndonjë dëmtimi neorologjik.

Mjeku i Eylerit, John Ricotta, kryeson departamentin e kirurgjisë vaskulare në Qendrën MedStar të spitalit të Uashingtonit. Ai thotë se qëndrimi i zonjës Clinton në spital nuk është diçka e pazakontë.

“Mjekët duan të sigurohen se sasia e ilaçit është në nivelin e duhur, që të hollojë gjakun, por mos të çojë në hemoragji. Është një balancë delikate për të gjetur dozen e duhur të mjekimit”.

Zonja Clinton njihet si sekretarja e shtetit që ka udhëtuar më shumë në historinë amerikane. Ajo ka fluturuar më shumë se 1.5 milion kilometra në 112 vende të ndryshme, por muaji dhjetor ishte veçanërisht i vështirë.

Sekretarja Clinton u pa për herë të fundit në publik në Belfast më 7 dhjetor. Ajo u kthye në Shtetet e Bashkuara me një virus të rëndë në stomak. Pas pak ditësh, tepër e lodhur, ajo humbi ekuilibrin dhe u rrëzua, duke pësuar goditje në kokë.

Sekretarja Clinton po i jep fund karierës së saj në këtë pozitë dhe do të vendosë mbi të ardhmen e saj politike. Zërat rreth kandidimit të saj për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 mund të qetësohen përkohësisht, ndërsa mjekët vazhdojnë vlerësimin e gjendjes së saj shëndetësore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG