Lidhje

Clinton-Lavrov, takim për Sirinë


Sekretarja Clinton u takua sot në Shën Peterburg me homologun e saj Lavrov, në prag të një konference ndërkombëtare lidhur me krizën në Siri

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton është duke zhvilluar një takim në Shën Peterburg me homologun e saj rus Sergei Lavrov, në prag të një konference ndërkombëtare lidhur me krizën në Siri.

Zonja Clinton dhe zoti Lavrov synojnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë lidhur me një plan tranzicioni për Sirinë. Ministria e Jashtme ruse tha se e sheh takimin si një hap pozitiv për zgjidhjen e krizës.

Të shtunën udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Gjenevë, në një takim të kërkuar nga i dërguari i OKB-së për paqen në Siri, Kofi Annan, i cili kërkon që të bihet dakord për ide të reja lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Siri.

Zoti Anann tha në një intervistë për gazetën The Washington Post se qeveria e Sirisë duhet të jetë një qeveri uniteti, me përfshirjen e anëtarëve të qeverisë aktuale, të opozitës dhe grupe të tjera. Por ai paralajmëroi se qeveria e re do të duhet të përjashtojë anëtarë, prania e vazhdueshme e të cilëve do të minonte besueshmërinë e tranzicionit dhe qëndrueshmërinë në vend”. Por ai nuk përmendi në mënyrë specifike Presidentin Bashar al Assad.

Zoti Lavrov ka thënë se sirianët duhet të gjejnë vetë zgjidhje për krizën në vendin e tyre.

Rusia ka refuzuar të bëjë thirrje për largimin nga pushtetit të zotit Assad. Por opozita siriane thotë se nuk do të pranonte asnjë plan tranzicioni për vendin, pa largimin nga pushteti të zotit Assad.
XS
SM
MD
LG